E Diel, 1 Nëntor 2026

LOTET E KROKODILEVE PER FERMERIN

28/03/2005  Media e shkruar dhe elektronike ka përcjellë kohët e fundit shqetësimet e disa forcave politike, për komunitetin rural dhe fatet e fermerit. Dhimbja e tyre është e thellë dhe i ka detyruar ata të bëjnë studime e vrojtime për të dalë nga ky kolaps, që ka rënë bujqësia sipas optikës së tyre. Problemet më shqetësuese që kanë evidentuar zëdhënësit e këtyre subjekteve, si ish-ministra, profesor, studiues etj., kanë të bëjnë me disa dukuri negative, që kanë një kosto sociale për zonat rurale. Fenomeni i migrimit, prapambetje teknologjike, rendimentet dhe prodhimet në bimët e arave, pemtari, perimtari, blegtori, mungesa e financimeve, mungesa e tregut etj., janë disa nga mangësitë që janë fokusuar në problematikën që parashtrojnë. Në kuadrin e fushatës elektorale i kanë zënë ethet dhe kanë zbrazur breshëritë pa bërë llogaritë se ku po qëllojnë.

Kur flasin për emigrimin harrojnë faktin se fshatari ka emigruar më shumë para vitit 1997 në kohën e qeverisjes së PD-së. Sot ka një fenomen tjetër sa për ta njohur, që shumë emigrantë në vendet fqinje si Greqi dhe Itali, janë kthyer dhe po investojnë fitimet e tyre në sektorin e bujqësisë, kryesisht në perime në sera, vreshtari, pemtari dhe blegtori. Po të heqësh syzet partiake dhe të shikosh në një ditë të kthjellët, do verbohesh nga serat perimore në zonën e Myzeqesë, pemtaria në rajonin e Korçës, pularia në Shqipërinë e Mesme, blegtoria në zonat jugore dhe veriore, të pasura me kullota natyrale. Sigurisht që problemet në fshat janë të shumta dhe zgjidhja e tyre është një proces i pandërprerë.

Po të shohim dinamikën e zhvillimit gjatë periudhës 1997–2005 janë këto tregues sintetikë. Perime në sera nga 334 ha, sot janë 700 ha: prodhim nga 572 mijë tonë ka arritur në 685 mijë tonë. Pemët frutore nga 498 mijë rrënjë janë 730 mijë rrënjë, ullinj 350 mijë rrënjë në 420 mijë rrënjë, agrume nga 326 mijë rrënjë në 550 mijë rrënjë, vreshta nga 4719 ha në 8000 ha. Krahas sipërfaqeve dhe numrit të rrënjëve janë rritur dukshëm dhe rendimentet e prodhimit. Këta tregues nuk janë të majftueshëm për të plotësuar nevojat e popullatës me këto produkte, por janë një ogur i mirë për zhvillimin e këtij sektori.

Autorët e publikimeve janë munduar për të siguruar një foto nga punimet me kafshë në zonën e Myzeqesë. Për t’i qetësuar do sillnim në kujtesën e tyre se gjatë katër vjetëve në zonën e Myzeqesë janë shpërndarë mbi 300 traktorë, ndërsa në shkallë vendi 724 traktorë dhe 1241 makineri bujqësore, nëpërmjet grantit japonez 2KR, pa folur për mjete të tjera që kanë hyrë në rrugë private. Gjatë këtyre katër vjetëve është përmirësuar rrjeti ujitës dhe kullues, duke investuar nga buxheti i shtetit 2,27 miliardë lekë dhe nga Banka Botërore 4,33 miliardë lekë. Eshtë përmirësuar ujitja në 80.000 ha dhe kullimi në 120.000 ha, ku kanë përfituar 60.000 familje, duke rritur të ardhurat në 15 për qind. Eshtë rritur kapaciteti i hidrovorëve 30 për qind. Janë shtuar dhe përdorur me efektivitet plehrat kimike, ku është siguruar një shfrytëzim më i mirë i lëndëve ushqyese, janë ulur efektet ndotëse dhe janë siguruar produkte bujqësore më të pastra. Janë ngritur disa tregje gjigande të përmasave evropiane për tregtimin e prodhimeve bujqësore e blegtorale si në Lushnjë, Korçë dhe janë në proces në rrethet Shkodër e Vlorë.

Eshtë rritur sipërfaqja e mbjellë me foragjere, si nevojë për të përballuar ushqimet për sektorin e blegtorisë që ka një rritje të dukshme si në numrin e krerëve ashtu edhe në rendimente. Prodhimi është rritur 4 për qind në vit, ndërsa prodhimi i vezëve 48 për qind, duke plotësuar nevojat e tregut të brendshëm dhe duke eksportuar në tregun e jashtëm. Qendrat e prodhimit të mishit të shpendëve nga 3 në vitin 2001 kanë arritur në 23 gjedh për mish, ferma me më shumë se 10 krerë, nga 135 kanë arritur 170. Sot ka shumë tufa të imtash me mbi 500 krerë dhe lopësh mbi 100 krerë. Ndryshime të mëdha ka edhe sektori i peshkimit. Nga 355 subjekte të licensuara në vitin 2001, në vitin 2004, janë licensuar 736 dhe nga 110 anije, janë në aktivitet 169, nga 15 subjekte të akuakulturës sot ushtrojnë aktivitetin 63 dhe nga 3595 tonë peshk që prodhohej në vitin 2001, në vitin 2004 u prodhua 5600 tonë. Këta tregues e të tjerë flasin qartë tendencën në rritje në të gjithë sektorët e bujqësisë. Investime janë bërë për ngritjen e 40 fabrikave të përpunimit të vajit, qumështit, frutave, perimeve, rrushit etj. Për sektorin e bujqësisë nuk kanë munguar edhe investimet e huaja, që kanë qenë në masën 99,8 milionë dollarë dhe në vazhdim do sigurohen edhe 110 milionë dollarë. Në fushën e bujqësisë veprojnë disa projekte, që financohen nga Banka Botërore dhe donatorë të tjerë që ndihmojnë për transformimin e bujqësisë.

Shumë parti i kanë drejtuar sytë nga bujqësia dhe hedhin shumë versione për rritjen e mirëqenies në zonat rurale. Ato ndiejnë keqardhje që mungon banka bujqësore. Eshtë mëse e domosdoshme që një vend si Shqipëria, ku edhe për shumë kohë bujqësia do jetë dega prioritare, duhet të rikrijojë bankën bujqësore. Dihet nga të gjithë se banka bujqësore falimentoi në kohën e qeverisjes së PD-së, mbasi i shpërndau të gjitha mjetet financiare, kryesisht siç pohonte drejtoresha e Bankës e zonave verilindore. Dhe këto mjete financiare jo vetëm që s’u kthyen më, por ato u përdorën jashtë destinacionit, kryesisht për blerje lokalesh, makinash, duke lozur në firma etj. Kështu, aktorët pasionant të fshatit, të rikthejnë mjetet financiare që kanë klientët e tyre dhe të jenë të sigurt se rihabilitohet banka bujqësore.

Siç u deklarua kohët e fundit nga ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, Agron Duka, do të krijohet banka rurale, që do të kreditojë fermerët për të zhvilluar aktivitetin bujqësor.

Eshtë për të ardhur keq, apo për të qeshur me ndonjë profesor, kolegun tim, që bënë krahasime të fermerit tonë me fermerin evropian. ǒprofetsi, zbulim kozmik. Por vallë nuk e di profesori i nderuar, që ka drejtuar dhe një ministri (ç’fatkeqësi) se Evropa Perëndimore ka shumë pak fshat, nga 15 deri në 5 për qind. Ka një fshat të industrializuar dhe intensifikuar në nivelin më të lartë.

Kur dëgjon xhevaire të tilla ndjen keqardhje, por edhe indinjatë. Eshtë e lehtë të bësh konstatime, mohime, injorime, me një cinizëm primitiv, pa sjell asnjë risi. Autorët vizionarë, të na tregojnë eksperiencën në kohën e qeverisjes së tyre. Ky do të ishte kontributi më i çmuar dhe i besueshëm. “Në qoftë se ka dy filozofë që nuk gabojnë, njëri nga këta është eksperienca”, na mëson rilindasi Sami Frashëri.

Në dinamikën e zhvillimit, probleme për t’u zgjidhur ka patur e do ketë edhe në të ardhmen. E rëndësishme është që ato të njihen, evidentohen, analizohen, profilaktohen dhe të zgjidhen gradualisht sipas parametrave bashkëkohor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›