E Diel, 1 Nëntor 2026

Qytete pa kujtesë,kur zhvillimi shkatëron

28/03/2005  Si ka ndryshuar mënyra e të jetuarit, stili i banesave nga 1920 deri më sot në qytet e mëdha

Epokat urbane nuk po ndjekin njëra-tjetrën, por po mbivendosen. Shteti i pafuqishëm për të vendosur rregullat e lojës

Së bashku me shtimin e popullsisë shtohen dhe banesat, e nëse sipërfaqia e tokës është e kufizuar, hapësira në lartësi jo. Për të përfituar sipërfaqe toke për ndërtim, shumë shtëpi karkteristike janë shembur për të ngritur shumëkatësha. Duket se do të vijë një ditë, që shumë shtëpi të shekullit të XVIII dhe të XIX, prej të cilave disa kanë mbetur ende pa u shembur, do të mund të vlerësohen vetëm prej shkrimeve dhe udhëtarëve të kohës. Shtëpitë e ndërtuara para këtyre shekujve nuk ekzistojnë më, veçse në dorëshkrimet e studiuesve të kohës. Shteti nuk duhet të lejojë më që “gjurmët urbane” të shemben. Në Shqipëri historia po përsëritet, epokat nuk ndjekin njëra-tjetrën si në gjithë qytet evropiane, por i mbivendosen njëra-tjetrës, duke zhdukur njëra-tjetrën.

Kush do t’i ruaj këto shtëpi

Gjurmët e shekujve po eleminohen në qytetet më të mëdha, si në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Korçë, Berat, duket se hajatet, shtëpitë me çardak, e gurë do të mbeten vetëm si legjenda urbane. Për Tiranën, do të themi dikur kanë ekzistuar në Rrugën e Kavajës, së Elbasanit, apo të Dibrës, por vetëm dikur, pasi sot po ngrihen një nga një shumëkatëshat. Pronarët nuk kanë lekë t’i restaurojnë. Dhe shumë prej tyre jetojnë ende qeraxhinj, të vendosur në kohën e socializmit, të cilët paguajnë një qera qesharke. Këta banorë nuk janë të interesuar që t’i mirëmbajnë. E vetmja zgjidhje e shpejtë mbetet shembja e tyre për të ndërtuar një shumëkatësh, ku të pasurit e dikurshëm bëhen përsëri të pasur, pasi marrin 30 për qind deri 40 për qind të vlerës së “gradaçelës”. Dhe shprehja, humbja e gjurmëve e historisë, mbetet vetëm një shprehje naive, përbri ironisë së kohës.

Shtet i dobët, përball zhvillimit shkatërrues

E vetmja mundësi zgjidhje është ndërhyrja e shtetit, që duhet të mos lejojë më ngritjen e pallateve, duke shembur shtëpi karakteristike në disa rrugë tradicionle, në disa qytete të vjetër të vendit, si dhe sistemimi i banorëve, që jetojnë me qera në banesat e ish-pronarëve. Bashkitë duhet të hapin qendra të reja urbane. Por, duket se shteti është ende i pafuqishëm për të përballuar flukset e zhvillimit, që sjellin shkatërrim.

Banesat sipas qyteteve

Vladimir dhe Alketa Misja në librin “Vështrim mbi situatën e banesave në Shqipëri”, thonë se banesa tiranse, është e përhapur në qytetin dhe fshatrat e Tiranës. Ato me çardak janë mbisunduese në Shkodër, Berat dhe më pak në Elbasan, Lezhë, Krujë, Korçë. Kulla qytetare mbisundon në Gjirokastër dhe më pak në Berat, Krujë, Shkodër dhe në disa fshatra.

Shtëpitë gjatë ekonomisë çifligare

Banesa reflekton gjendjen sociale dhe mentalitetin e popullsisë që jeton aty. Kështu banesa qytetare e kësaj periudhe ka reflektuar mardhëniet e ekonomisë çifligare dhe familjes patriarkale. Kjo shprehet në banesën njëfamiljare, në praninë e mjediseve të ruajtjes dhe përpunimit të produkteve bujqësore, të shtëpisë së zjarrit, odës së miqve. Banesa qytetare, shpreh gjithashtu vlera kompozicionale në qëndrimin e familjes, në vendosjen e nyjeve sanitare, në dhomat e gjumit, në banesën me çardak dhe kullën qytetare), ndyshe quhen dhe shtwpitë e zjarrit. Familjet janë treguar të kujdesëshme në vendosjen e elementeve dekorative, kryesisht gjatë punimeve në dhomën e miqve dhe në fasadën qëndrore. Forma më e lartë e zhvillimit të banesës qytetare të kësaj periudhe u arrit me krijimin e asambleve urbnistike të qendrave urbne si në Gjirokastër dhe Berat.

Si u bënë “borgjezë” shtëpitë me çardak

Lindja e marrdhënieve kapitaliste dhe krijimi klasës së re borgjeze solli dhe nevoja të reja për banesën qytetare. Banesa me çardak dhe kulla qytetare u shfaqwn relativisht më të afta për të plotësuar kërkesat e familjes së re borgjeze, duke ndryshuar disa elemente si për shembull, duke zvogëluar çardakun, duke rritur mjediset e banimit, duke zvogëluar mjediset e përpunimit të produkteve bujqësore, si dhe shtuan dekoracionet. Ndërkohë banesat tiranase dhe ato me hajat vazhduan të ndërtoheshin në qendrat e banuara.

Shtëpitë e borgjezisë së re

Nga mesi i shekullit të XIX, deri në vitet ’30 të shekullit të XX, u shfaq një tip i ri banese qytetare që shprehte kërkesat e një shtrese të re, të borgjezisë. Banesat borgjeze ishin karakteristike për skemën e thjeshtë kompozicionale, vendosjen simetrike të mjediseve të banimit kundrejt sallonit qëndror, i cili përfundonte me shkallët e brendshme, trajtimin e fasadës me forma neoklasike dhe përdorimin e materialit prej guri dhe hekuri të farkëtuar në dekorim. Në këto ndërtesa gjen elemente të traditës përzier me ato ballkanike, të cilat kishin ardhur si rezultat i tregëtisë që bënin mes vendeve. Në librin “Korça, urbanistika dhe arkitektura”, Pirro Thoma shkruan: “Ndryshoi raporti i banesës me rrugën, banesa hapej me një oborr të vogël përpara dhe me mur rrethues me kangjella, që lejonte soditjen e saj dhe të fasadës së trajtuar në mënyrë dekorative. Nga ana sociale, rrethimet e hapur pasqyronin emancipimin e borgjezisë dhe rritjen e sigurisë publike”.

Ndërtimet e nënpunësve vitet ’30-40

Blloku, periferia e pushuar nga “nënpunësit”

Zona e ish-bllokut, në vitet ’30 quhej zonë periferike, e cila u nda parcela-parcela dhe ngritën shtëpitë shtetarët e kohës. Të shkolluarit në perëndim, me prejardhje feudale, apo borgjezë, kërkonin hapësira të reja banimi. Vila në figurë është ndëruar në vitet ‘30 dhe i përket stilit racional italian të viteve ‘20-’40. Skema planimetrike është simetrike kundrejt sallonit qëndror dhe verandës. Në katin përdhes zhvillohen ambientet e qëndrimit dhe shërbimit, ndërsa në katin e sipërm vendosen ambientet e fietjes. Kjo vilw nuk ekziston, pasi është prishur nga pronari për t’u zëvendësuar nga një ndërtesë shumëkatëshe. Vila të ngjajshme kanë pasuar të njëtin fat në këtë zonë.

Tirna e Re, pallatet e zyrtarëve, ose të aviacionit

Të ndërtuara në zonën e Tiranës së Re, i përkasin shkollës racionale të zhvilluar në Itali gjatë viteve ’20-’40. Këto janë banesat e para shumëfamiljare në Shqipëri, të cilat i përkasin Arkitekturës moderne.

Lana, pallatet italiane

I përkasin shkollës italiane, të zhvilluar gjatë viteve ’20-’40. Këto janë banesat e para shumëfamiljare në Shqipëri, të arkitekturës moderne. Amortizimi dhe ndërhyrjet e banorëve kanë cënuar purizmin e dikurshëm të ndërtesave.

Blloku pas viteve ’90

Qendra e re e Tiranës, prishen gjurmën e viteve 30

Vilat italiane në zonën e nënpunësve të Bllokut, pas çlirimit u bënë banesat e udhëheqësve të regjimit socialist. Të banoje në këtë zonë, u bë ëndërra e mohuar e shumë shqiptarëve, qyteti u zgjerua edhe më. Kështu që, sot pa frikë, mund të quhet qendra e dytë e Tiranës. Forma e parcelës dhe marrëveshja me pronat fqinje kushtëzojnë planvendosjen e ndërtesës. Megjithaëse struktura mbajtëse beton-arme mundëson lirshëmërinë e zgjedhjeve të brendwshme, të cilat marrin formë sipas kërkesave të blerësve, çmimi i lartë i banesës detyron zgjidhjen e formave racionale. Ndonëse zgjidhjet janë të larmishme, vihen re disa tipare të përbashkëta, mjediset e ditës ndahen nga ato të natës. Zona e gatimit merr pjesë në hapësirën e banueshme, kati i fundit, i cili ka pamje panormike projektohet si apartament i veçantë i standartit të lartë, i cili shfrytëson tarcën e pallatit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›