E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aksidentohet 10-vjeçari, vdes rrugës për në spital

21/04/2005  Nëna e merr vesh dy orë më pas

ELBASAN - Ishte duke u kthyer nga shkolla kur është përplasur nga një furgon, duke gjetur vdekjen rrugës për në spital. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18.00 të ditës së djeshme, në lagjen “Skënderbej” të qytetit të Elbasanit, kur Alxhino Baku, teksa kthehej nga shkolla, në një nga rrugicat e lagjes është përplasur nga një furgon mallrash. Mësohet se menjëherë fëmija është transportuar drejt spitalit kirurgjik, por plagët e rënda në pjesën e kokës i kanë shkaktuar atij vdekjen. Burime nga policia bëjnë të ditur se është bllokuar mjeti me targa EL 2838 B dhe janë shoqëruar në komisariat drejtuesi dhe pronari i furgonit të aksidentit. Nëna e fëmijës e ka mësuar dy orë më pas vdekjen e djalit të saj, i cili po kthehej nga shkolla “Adem Krasniqi”, ku vazhdonte klasën e katërt dhe ka gjetur vdekjen vetëm disa metra larg shtëpisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›