E Hënë, 2 Nëntor 2026

Biznesmenet “nëna” për 20 fëmijë

21/05/2005  Dita e jetimëve, nis të zbatohet ideja e hapjes së librezave për jetimët. Debate për organizimin

Fondacioni kuvajtjan, pensione për 181 fëmijë, Ministria për 300 të tjerë

Gratë biznesmene birësuan në distancë, domethënë do të kujdesen për 20 fëmijë, ndërkohë një fondacion kuvajtjan do të lidhë pensione për 181 fëmijë, ndërsa Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale deklaroi se në një fazë të dytë do të ndihmojë dhe 300 të tjerë, në emrat e të cilëve do të derdhë 25 dollarë çdo muaj. Këtë pension, ata do ta humbasin pasi të mbushin 18 vjeç. Dje në Pallatin e Kongreseve, Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, Shërbimi Social Shtetëror nën kujdesin e zonjës Xhoana Nano, organizuan aktivitetin 20 maj - Dita Kombëtare në Ndihmë të Fëmijëve Jetimë. Në këtë aktivitet, përveç fëmijëve jetimë, prindër, merrte pjesë edhe ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Ëngjëll Bejtaj, Xhoana Nano, drejtore e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror, Natasha Hodaj, personalitete të trupit diplomatik, deputetë, përfaqësues nga organizatat ndërkombëtare si USAID, UNICEF, Banka Botërore, Coperacione Italiane dhe ai zviceran, përfaqësues të biznesit vendas si dhe përfaqësues nga organizatat jo-qeveritare që punojnë me këtë fushë. Moto e këtij aktiviteti të madh sensibilizues është: Të gjithë së bashku: shteti, shoqëria civile dhe biznesi mund dhe duhet të bëjmë më shumë për mbështetjen dhe integrimin e fëmijëve jetimë. Këtë ditë, ministria prezantoi për projektin e pajisjes së fëmijëve jetimë me libreza kursimi. Kështu fondacioni kuvajtjan në ndihmë të fëmijëve jetimë, që drejtohet nga Ibrahim El-Faki, mundësoi realizimin e fazës së parë të këtij projekti: hapjen e librezave të kursimit për 181 fëmijët e parë jetimë, me nga 5 mijë lekë (të reja) si fillim dhe 25 dollarë shtesë çdo muaj, deri sa fëmijët të mbushin 18 vjeç. Projekti do të vazhdojë nga MPCS, e cila deri në fund të vitit do të hapë me fondet e veta edhe 400 libreza të tjera për jetimët pranë familjeve. Rreth 20 gra biznesmene vendase do të birësojnë në distancë fëmijë jetimë, duke marrë përsipër kujdesin ndaj tyre, shkollimin etj. Zonja Xhoana Nano, mikja e fëmijëve në nevojë, nxitëse dhe promotore e disa aktiviteteve dhe donacioneve në ndihmë të shtresave të margjinalizuara, përshëndeti të pranishmit dhe shpërndau librezat e para të kursimit për fëmijët jetimë. Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Engjëll Bejtaj, tha se “dëshiroj ta them që në fillim, që sado i fuqishëm të jetë një shtet dhe financat e tij, jo më si buxheti aktual, mëse modest i qeverisë shqiptare, nuk mund të plotësojë nevojat dhe kërkesat e fëmijëve jetimë të tranzicionit tonë dramatik. Për këtë arsye, dua të falenderoj nxehtësisht të gjithë aktorët joqeveritarë, jobuxhetorë që janë sensibilizuar dhe kontribuojnë për fëmijët, të cilët nuk kanë nevojë vetëm për ndihma financiare, por edhe për ngrohtësi, shoqëri, familje, kanë nevojë t’u jepet një shans për një vatër familjare, për shkollim, për punë.

Problemi: 80 mijë jetimë, kontigjent të pastrehësh, lypësash dhe analfabetësh

“Po krijohen getot e jetimëve”

Në të gjithë vendin janë të identifikuar rreth 80 mijë

jetimë, numri i të cilëve shtohet çdo vit. “Shtimi i numrit të tyre tregon për rritje të varfërisë, ndërkohë që ka dhe shumë të paidentifikuar, pasi nuk e bëjnë dokumentacionin”, thotë Kadri Alia, kryetari i Shoqatës së Jetimëve. Problemi kryesor i jetimëve është strehimi, por në qytet ku ka dhe shtëpi fëmije, janë krijuar getot e jetimëve. Ndërsa për shkak se një fëmijë jetim mban dhe motrat e vëllezërit e tjerë, jetimët shtojnë lypësat dhe numrin e fëmijëve që braktisin shkollën për të punuar. Këto janë tre problemet e fëmijëve jetimë, nënvizuar nga Alia.

Në vitin 1996 u miratua statusi i jetimit, por aktet nënligjore ende nuk kanë përfunduar. Këto akte i ka nxjerrë vetëm Ministria e Shëndetësisë, që u siguron barna dhe ekzaminime falas në spital dhe, së fundi, Ministria e Rregullimit të Territorit, që i ka futur në ligjin e ri të strehimit. Ndërkohë strehimi i tyre gjatë këtyre viteve ka qenë gati i pamundur, pasi kërkesat për shtëpi janë 25 në vit. Janë jetimë dhe çifte fëmijësh që janë prindër dhe kërkojnë strehim. Vite më parë jepeshin gjashtë-shtatë hyrje dhe një kredi e zbutur 17 milionë lekë të vjetra, të cilat nuk mjaftojnë për të blerë shtëpi. “Kështu që në disa raste këto fonde të pakta u dogjën, derisa vitet e fundit nuk dhanë më”, thotë Aliaj.

Adoptim në distancë nga:

1. Shefikat Ngjela

2. Janulla Kaliokopulli

3. Teuta Rino

4. Edila Çeliku

5. Mirela Papuli

6. Iden Bufi

7. Zenepe Lamaj

8. Teuta Bregasi

9. Greta Angjeli

10. Majlinda Papuli

11. Aneta Sota

12. Mira Viezi

13. Gjinovefa Paruca

14. Merita Kodra

15. Marjeta Resuli

16. Valentina Helmasi

17. Sofie Ngjela

18. Natasha Çano

19. Miranda Lalaj

20. Eva Allushi

Pallati i Kongreseve,

Ceremonia, në vend të jetimëve, nxënësit e shkollave

Salla e madhe e Pallatit të Kongreseve, ku u zhvilluan aktivitete me rastin e Ditës së Jetimëve, nuk kishte më tepër se 100 jetimë të institucioneve shtetërore, ndërsa pjesa tjetër ishte e mbushur me nxënësit e shkollave të Tiranës. “Mbas 60 viteve, me kërkesën e shoqatave të jetimëve dhe iniciativën direkte të Zonjës Xhoana Nano, u bë e mundur caktimi nga Parlamenti i një dite për të drejtat e jetimëve. Kishim 14 vite që festonim, Vitin e Ri, 1 Qershorin dhe Krishtlindjen, vjet u shtua dhe 20 maji”, thotë Kadri Aliaj, kryetari i Shoqatës së Jetimëve.

U tha që do të bëhej festë e madhe, shoqata mori OK-in nga Natasha Hoda, drejtoresha e Shërbimit Social, që të merrej me organizimin. “Na thirri në zyrë dhe na tha që donte të bashkëpunonte. Ministria me buxhetin e saj do të bënte festë. Vetëm para katër ditëve na u tha që ne nuk kemi buxhet, po të doni sillini vetë fëmijët. Por, një nënë ka katër, pesë fëmijë jetimë, nuk mund të përballojë dhe shpenzimt e rrugës dhe ushqimin për këtë ditë”, thotë Alia. Ndërkohë, sipas shoqatës, në ftesën e bërë nuk përmendet gjëkundi bashkëpunimi me shoqatën e jetimëve, vetëm gojarisht u tha që po të donin mund të përshëndetnim. “Kjo është një festë politike, një shou politik. Por, zonja Xhoana Nano s’ka nevojë për shou, pasi e ka treguar se është në ndihmë të fëmijëve”, thotë Alia.

“Për 5 fëmijët Kërnaja do të kërkojmë pension”

Në familjen e nënës së “ngujuar” në karrocë, Shoqata e Jetimëve të Shqipërisë ka vendosur të dërgojë një punonjës vullnetarë për të marrë dokumentacionin për këta fëmijë. Më pas, kërkesa bashkë me dokumentacionin do t’i dërgohen donacioneve, në mënyrë që këtyre fëmijëve t’u lidhet një pension. Është e pamundur që nëna Aishe Kërnaja ta dërgojë vetë dokumentacionin në Tiranë, për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet, ndërkohë që të afërmit që i mbajnë fëmijën kanë hapësira shumë të kufizuara ekonomike për t’u marrë me një gjë të tillë. “Në këto kushte, shoqata është e detyruar që të dërgojë një person”, thotë Kadri Aliaj, kryetari i Shoqatës së Jetimëve. E mira e fëmijëve është që të rriten mes të afërmve të tyre, në mënyrë që ta shohin nënën ndonjëherë. Do të ishte e mira që këtë pension t’ua lidhte shteti, dhe jo vetëm këtyre fëmijëve. Po të dërgohen në jetimore këta fëmijë, kostoja e mbajtjes së një fëmije është 20 mijë lekë të reja në muaj.

Pesë fëmijë jetimë rriten tek të afërmit me nënën e paralizuar dhe babanë e vdekur. Prej gjashtë muajsh, Shërbimi Social Shqiptar është vënë në dijeni të problemit të Aishe Kërnajës, duke e identifikuar si rast, por asnjë masë nuk është marrë për këtë familje. Bababi i fëmijëve ka vdekur në aksident, ndërsa vetë mbeti me aftësi të kufizuara, duke e kaluar gjithë jetën në karrocë. Që kur ka ndodhur aksidenti 5 vjet më parë, fëmijët rriten të shpërndarë në shtëpitë e të afërmve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›