E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nano: Mjeku i familjes, 75 mijë lekë

21/05/2005  Përurohet klinika kirurgjikale e ORL-së, Kryeministri premton sërish rritje pagash

ISSH: Do të trefishoj listën e barnave të rimbursuara

“Ne do të shtojmë trupën mjekësore me 800 mjekë të rinj. Do të synojmë rritjen e cilësisë së shërbimit, duke ulur numrin e banorëve nën kujdesin e 1 mjeku nga 500, në 1 mjek për 400 banorë. Për këtë arsye do të rritet paga mesatare e mjekut të familjes në 75.000 lekë. Do të rritet paga e mjekëve të spitaleve në mbi 60.000 lekë. Në vëmendje të sindikatës do rritet në mbi 40.000 lekë edhe paga për personelin e mesëm”, premtoi dje në përurimin e spitalit kirurgjik të specialiteteve, Kryeministri Fatos Nano. Sipas tij, do të ndërtohen 700 ambulanca të reja, që do të përmirësojnë shërbimin shëndetësor parësor për 600.000 banorë, do të vazhdojnë të financohen nga shteti edhe më shumë vaksina tradicionale, duke arritur në 100% të mbulimit nga buxheti të shpenzimeve për to. Do të trefishohen akoma listat e barnave të rimbursuara, duke përfshirë të gjitha barnat e regjistruara.

Kryeministri Fatos Nano mori pjesë dje në ceremoninë e inaugurimit të spitalit kirurgjik francez, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Në ceremoni ishin të pranishëm mjekë, infermierë e specialistë, si dhe ambasadorja e Francës në Tiranë, Francoise Bourolleau, Jean Michel Severino, drejtor i Agjencisë Franceze të Zhvillimit etj.

Duke marrë fjalën në këtë ceremoni, Kryeministri Nano u shpreh: “Kam kënaqësinë në emër të të gjithëve të shpreh vlerësimin e qeverisë shqiptare, mirënjohjen tonë të përbashkët për qeverinë franceze, e cila përmes Agjencisë së saj për Zhvillim bëri të mundur realizimin e kësaj vepre të madhe, me një shifër më shumë se 4 milionë e gjysmë euro. Kanë kaluar vetëm 23 muaj nga 16 qershori i vitit 2003, kur u vu guri i parë në themelet e kësaj klinike të specialiteteve kirurgjikale. “Do të përpiqem të citoj ministrin e Shëndetësisë, Solis, i cili dje më njoftoi se në këtë klinikë mund të tentohet t’u kthehen sytë të verbërve, t’u kthehen veshët atyre që s’dëgjojnë, t’u kthehet nuhatja atyre që kanë probleme me hundët, t’u normalizohet zëri apo t’u vijë atyre që kanë fyt problematik dhe, më në fund, të gjitha këto do të bëhen në një nga klinikat më të mira të këtij profili për të gjithë Ballkanin”, tha Nano.

Duke radhitur se çfarë është bërë deri tani, Nano tha se është dyfishuar financimi publik i shëndetësisë në nivelet 5.5 të PBB.

Mjekët e poliklinikave do të emërohen me konkurs

Mjekët e poliklinikave, ambulancave të lagjeve apo komunave, do të emërohen pas një konkurrimi të hapur që do të zhvillohet nga Drejtoria e Shërbimit Parësor. Dje u miratua vendimi “Për një ndryshim në vendimin nr.84, datë 13.2.2003 të Këshillit të Ministrave, “Për administrimin dhe mbulimin e shërbimeve nga personeli mjekësor i përfshirë në skemën e sigurimeve shëndetësore”. Ndryshimi konsiston në faktin që, mjeku i përgjithshëm, mjeku i familjes dhe mjeku specialist, të cilët lidhin kontratë për dhënien e shërbimit shëndetësor parësor, emërohet nga Drejtoria e Shëndetit Publik të rrethit përkatës, nëpërmjet konkurrimit të hapur. Institucioni i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor është institucioni financues i këtyre shërbimeve, funksion të cilin e realizon në bazë të kontratave të lidhura midis palëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›