Ndotja e ajrit do të matet dhe në kufi
21/05/2005 Vlerësimi strategjik mjedisor është procesi studimor dhe analizues për përcaktimin e rreziqeve, pasojave negative në shëndet dhe mjedis, që mund të mbartin gjatë zbatimit të tyre projektet industriale. U miratua projektligji “për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën e vitit 1979 ‘për ndotjen ndërkufitare të ajrit, në distancë të madhe’”. Konventa parashikon që palët: Të përpunojnë politika dhe strategji për të kufizuar ndotjen e ajrit. Të shkëmbejnë informacion lidhur me shkarkimet në ajër dhe masat teknike të ekspozuara ndaj një rreziku potencial nga ndotja e ajrit në distancë të madhe. Të përdorin teknologjitë më të mira që disponojnë, që janë ekonomikisht të zbatueshme. Të ndërmarrin aktivitete bashkëpunimi për kërkim dhe/ose për zhvillim të teknikave të reja për pakësimin e shkarkimeve të komponentëve sulfuror dhe të ndotësve të tjerë të ajrit. Të vlerësojnë nevojën për zbatimin e “programit të bashkëpunimit për vrojtimin dhe vlerësimin e transportit në distancë të madhe të ndotësve të ajrit në Evropë - EMEP)”.