Ardian Klosi tenton sërish vetëvrasjen

Ardian Klosi
TIRANE – Publicisti i njohur Ardian Klosi tentoi dje sërish vetëvrasjen, duke prerë damarët e të dy krahëve dhe më pas duke goditur vetën me thikë në bark. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 15:00 në banesën e 54-vjeçarit, që ndodhet në Sauk, pranë Liqenit të Thatë në Tiranë. Policia e Komisariatit Nr.1 është vënë në dijeni për tentativën e vrasjes së tij vetëm në mbrëmje, nga ekipi i mjekëve të Spitalit Ushtarak, ku familjarët e kanë transportuar me mjetet e tyre. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e Klosit deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme paraqitej jashtë rrezikut për jetën. Katër plagët prerëse në të dy krahët, sipas mjekëve nuk kanë qenë shumë të thella. Edhe pse ka shkaktuar prerjen e damarëve, ato janë mjekuar dhe nuk paraqesin asnjë problem. Plaga tjetër që ka në bark nga goditja me thikë, që sipas mjekëve është mjaft e thellë, ka bërë që ai të mbahet në observim për disa orë. Klosit i është bërë një ekografi paraprake nga e cila ka rezultuar që organet e brendshme nuk janë dëmtuar nga thika. Por, pasi të shtrohet në pavijon do kryhet edhe një ekografi tjetër, për të verifikuar nëse ka nevojë për ndonjë ndërhyrje kirurgjikale. Policia tha mbrëmë se kanë kontaktuar me bashkëshorten e Ardian Klosit, fotografen gjermane Jutta Benzenberg, e cila nuk ka pasur asnjë pretendim për ngjarjen, pasi tashmë dihen rrethanat se si ka ndodhur. Për publicistin Ardian Klosi, kjo është hera e dytë që tenton vetëvrasjen. Edhe pse hera e parë, më 8 janar të këtij viti, u konsiderua si helmim nga konsumimi me sasi të tepruar e medikamenteve antidepresive.