Aksidentohet avioni në Itali, vdes pasagjeri nga Shqipëria
ALEKSANDRINO – Një shtetas shqiptar gjeti vdekjen bashkë me një italian dje gjatë një fluturimi me një avion të vogël, i cili u aksidentua. Avioni i vogël me kapacitet 2-vendësh ka mundur të lëvizë vetëm pak metra pasi u ngrit në fluturim dhe më pas është rrëzuar duke shkaktuar vdekjen e dy personave në bord. Mjeti fluturues ra në lumin Po në Aleksandrino të Italisë. Menjëherë pas humbjes së kontaktit të avionit me kullën dhe daljes së tij nga radarët, policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe gjeti kufomat e shtetasit shqiptar dhe atij italian. Sipas policisë, mjeti fluturues kishte vetëm dy persona në bord ndërsa emrat e tyre ende nuk janë bërë publikë, siç duket nga vështirësia e identifikimit. Agjencitë italiane të lajmeve, raportuan se përplasja e avionit ka qenë fatale dhe dy personat kanë humbur jetën menjëherë. Incidenti ka ndodhur në orën 19.30 të mbrëmjes së djeshme. Autoritetet e zjarrfikëseve kanë njoftuar për mediat se bëhet fjalë për një qytetar nga Alesandrino dhe për një shtetas shqiptar. Ende nuk është bërë i ditur identiteti i shqiptarit, që humbi jetën në këtë aksident ajror. Dy personat ishin nisur nga Piovera e Alesandrise dhe pasi kanë kryer vetëm disa milje fluturim janë rrëzuar në ujërat e lumit Po. Policia ka nisur hetimet për të zbuluar shkaqet që kanë çuar avionin të përplasej në ujërat e lumit Po.