E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denver, dështon atentati i neonazistëve kundër Obamës

 

Senatori Barak Obama, kandidati i demokratëve për president i ka shpëtuar për mrekulli një atentati të organizuar nga tre burra dhe një femër, të cilët mendohet se kanë lidhje me grupe neonaziste. Tre meshkujt kanë pranuar para agjentëve federalë se kanë pasur në plan të qëllojnë senatorin e zi, Barak Obamën. Autoritete lokale dhe federale në Denver të Kolorados nisën hetimin mbi komplotin e mundshëm ndaj Obamës. Duke detajuar arrestet e tyre mbi njerëzit që akuzohen se kishin në plan atentatin, hetuesit thanë se një përdorues i rregullt droge, u arrestua gjatë një kontrolli rutinë të trafikut në periferi të Denverit ditën e djeshme. Policia kishte ndaluar Tharin Robert Gartrell, 28 vjeç, për drejtim të gabuar të automjetit mëngjesin e së dielës. Një stacion televiziv i Denverit tha se oficerët e policisë gjetën dy pushkë, municione, një jelek anti-plumb si dhe lëndë narkotike në një vend të fshehtë në kamionin e tij. I arrestuari i drejtoi autoritetet tek tre të dyshuar të tjerë (mes tyre një femër për të cilën nuk ka detaje), që u arrestuan në një zonë hotelesh në Denver, më vonë gjatë ditës. 32-vjeçari Nathan Johnson dhe 33-vjeçari Shaun Robert Adolph, ishin dy të arrestuarit e tjerë pas Gartrell. Televizioni ka bërë të ditur se një prej tyre ka bërë kërcënime ndaj Obamës. Është planifikuar, që Obama do të pranojë kandidaturën e Partisë Demokratike, gjatë një fjalimi të enjten në mbrëmje, në Invesco Field, pallati i sportit i Ligës Kombëtare të Futbollit. Të dyshuarit pranuan se ishin në gjendje të qëllonin mbi Senatorin Obama, i pari kandidat afro-amerikan për presidencën e Shteteve të Bashkuara, nga 700 metra largësi nga Invesco Field. Sipas autoriteteve në një distancë të tillë atentati i tyre nuk ka pasur shans për sukses.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›