E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Dënoj qëndrimin rus ndaj vendeve të vogla

 

Kryeministri ynë, Sali Berisha ka reaguar kundër akuzave që ka hedhur gjenerali i parë i trupave ruse, Anatoli Nogovotsyn mbi Shqipërinë, duke deklaruar se vendi ynë bashkë me disa vende të tjera të Ballkanit kanë dërguar armë në Gjeorgji, duke e vlerësuar këtë akt si një ndërhyrje në konfliktin mes dy vendeve. I pyetur nga gazetarët mbi një koment për deklaratat ruse të një dite më parë, Kryeministri Berisha tha se Rusia po sulmonte vendet e vogla, që kanë si synim anëtarësimin në NATO. “Gjeorgjia është një vend mik yni dhe një vend demokratik, i cili do të ketë të gjithë mbështetjen që meriton një vend i tillë, në një situatë të vështirë. Të mendosh që Gjeorgjia paska nevojë për armët e Shqipërisë, kjo është një shpikje. Gjeorgjia është një vend që ka pasur armët e veta, ushtrinë e vet dhe që pësoi agresion. Akuzat ruse nuk më çudisin aspak, sepse kanë një qëndrim konstant ndaj shqiptarëve. Për mendimin tim, qëndrimi rus ndaj vendeve të vogla është jashtëzakonisht i dënueshëm. Rusia një ditë sulmon një vend, ditën tjetër bën deklarata kundër anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, e kështu me radhë”, deklaroi Kryeministri. Vetëm një ditë më parë, Rusia akuzoi Shqipërinë se ka ndikuar në konfliktin Rusi-Gjeorgji, duke dërguar armë tek rivali i Moskës në këtë konflikt. Zv/komandanti i Ushtrisë ruse, gjenerali Anatoli Nogovitsyn, tha se: “Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit (Maqedonia, Bullgaria, Ukraina, Hungaria, Rumania dhe Serbia) kanë furnizuar me armë Tbilisin”. Akuza të tilla Rusia i ka drejtuar ndaj të gjitha vendeve që kanë përkrahur integritetin territorial të Gjeorgjisë në konfliktin me rusët dhe kanë akuzuar Moskën, se kërkon të rikthejë kohën e Bashkimit Sovjetik. Një deklaratë të tillë e bëri Kryeministri shqiptar Sali Berisha, i cili i tha Moskës se me ndërhyrjen në Gjeorgji kërkon me iluzione të rikthejë kohën e Bashkimit Sovjetik, që nuk mund të ekzistojë më. Deklarata përkrahëse për Gjeorgjinë nga zyrtarët shqiptarë erdhën edhe nga ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel, i cili citoi se Shqipëria përkrah integritetin territorial të Gjeorgjisë, duke kritikuar Rusinë për qëndrimin e saj.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›