E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shalsi: Parkime nëntokësore dhe te sheshi “Italia”

 

Parkime nëntokësore pritet të ndërtohen edhe te sheshi “Italia” në kryeqytet i cili ndodhet pranë stadiumit “Qemal Stafa”. Projekti më i mirë për realizimin e tyre do të shpallet pas një konkursi ndërkombëtar. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, theksoi dje se gara do të jetë e hapur dhe transparente. “Ky shesh do të ridezinjohet dhe do të rikonceptohet, dhe sipërfaqja e tij do të jetë pjesë e konkursit që ne do të organizojmë shumë shpejt për sheshin “Nënë Tereza”. Ne do t’ju mbajmë të informuar për çdo hap të procesit dhe do të inkurajonim që qytetarët e Tiranës t’i ndjekin me vëmendje dhe interes këto projekte të rëndësishme për kryeqytetin”, tha Shalsi. Sipas tij, kapaciteti i parkingut të nëndheshëm do të vlerësohet me nevojat e institucioneve përreth sheshit, por edhe të rezidentëve. Në sipërfaqe nuk do të ketë më makina sikundër shihen tani. Sipas Shalsit, parkimet nëntokësore janë konceptuar të ndërtohen në mënyrë ku nga sipërfaqja të mos kuptohet ekzistenca e tyre. Brenda parkingut do të kemi të akomoduar një numër makinash, duke plotësuar nevojat e rezidentëve të kësaj zone, institucioneve dhe vizitorëve të qendrës. Parkimet nëntokësore pritet t’i japin një tjetër frymëmarrje kryeqytetit. Kaosi i krijuar për shkak të mungesës së tyre, ndikon në kufizimin e hapësirave publike, por edhe në shtimin e trafikut. Tashmë i është ndezur drita jeshile ngritjes së parkimeve nëntokësore përreth parkut “Rina”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›