Konventa, Klinton: Unitet për Obamën
Hapja e Konventës Kombëtare të Demokratëve përpara zgjedhjeve të nëntorit për kreun e Shtëpisë së Bardhë rezultoi një sukses, me fjalimin e bashkëshortes së Barak Obamës dhe me shfaqjen e papritur të senatorit Eduard (Ted) Kennedy.
Me gjithë frikën se vonesat e përgatitjeve do të ndikonin negativisht në hapjen e Konventës, Michelle Obama me një fjalim të fuqishëm mori të gjithë respektin dhe vëmendjen që meriton një zonjë e parë. Dhe për më tepër, shfaqja surprizë e senatorit Ted Kennedy në hapjen e konventës i dha një mbështetje të fuqishme senatorit të Illinoisit, Barak Obama. Kur Kennedy doli përpara Konventës Kombëtare të Demokratëve të hënën në mbrëmje, në sallë pati ovacione të fuqishme, të cilat ishin një atribut personal për të dhe pothuajse gjysmë shekulli të historisë së tij në këtë konventë. Siç shkruan “New York Times”, senatori Kennedy që në vitin 1960 ka qenë një personazh i gjallë i këtyre konventave dhe demokratët amerikanë, prej shumë kohësh janë sunduar nga klani Kennedy. Të gjithë në sallë i bënë respektet senatorit, i cili tashmë vuan nga kanceri në tru. Kennedy ka munguar vetëm dy herë në historinë e konventave të demokratëve, një herë në vitin 1964, kur ishte shtruar në spital pas rrëzimit të një avioni me të cilin udhëtonte dhe katër vite më vonë, pas vrasjes së Robert F. Kennedy. “Nuk mund të mungoja në këtë konventë”, është shprehur ai para të gjithë delegatëve demokratë, ndërsa kërkonte përkrahjen maksimale për senatorin Barak Obama. Këtë vit, Kennedy u kthye në një lojtar kryesor përsëri mes demokratëve, ndërsa zgjodhi që në fillim të garës përkrahjen për Barak Obamën dhe jo Hilari Klintonin. “Për mua ky është një sezon shprese”, tha ai duke iu referuar mundësisë së madhe për fitoren e Obamës. “Unë ju premtoj se do të jem atje në janar, në sallën e Senatit, duke i ofruar ndihmë presidentit tonë të ri”, tha Kennedy.
Fjalimi i Michelle
Bashkëshortja e Senatorit Obama, Michelle u tha të pranishmëve se beson që Obama do të jetë President i jashtëzakonshëm. “Ju flas si një bashkëshorte që e do burrin e saj dhe beson se ai do të jetë një president i mrekullueshëm. Jam këtu edhe si nënë dhe dy vajzat e mia janë në qendër të zemrës sime. Jam këtu si një vajzë e rritur në zonat e varfra të Çikagos me një baba që ishte nëpunës bashkie”, tha Michelle duke vijuar fjalimin e saj ku jepte argumente pse Obama meritonte të ishte president. Dy vajzat e tyre u paraqiten në skenë me të. Obama përshëndeti bashkëshorten e tij me një lidhje me video nga Kansas City i shtetit Missouri. Më pas Michelle i bëri elozhe edhe Hilari Klintonit. “Janë njerëz si ajo që kanë vënë me shpatulla pas murit të gjithë ata që nuk kanë besuar se një grua mund të mbajë Shtëpinë e Bardhë mbi supe, janë persona si ajo që mundësojnë fëmijët tanë të kenë ëndrra më të mëdha dhe të vështrojnë më larg”, tha Michelle.
Programi i Konventës
Mbrëmë delegatët dëgjuan fjalimin e Hilari Klintonit dhe të guvernatorit të Virxhinias, Mark Uarner, bazuar kryesisht në fushën e ekonomisë. Hilari Klinton foli mbi ekonominë dhe mbi politikën e dështuar të republikanëve gjatë tetë viteve të fundit. Mark Uarner, i cili konsiderohet si një “yll” i Partisë Demokratike, do të mbajë një fjalim mbi ato që konsiderohen idetë bazë, një fjalim i tillë e ktheu Obamën në një yll në Konventën e vitit 2004. Veç tyre do të flasin edhe gra demokrate si guvernatorja e Kansasit, Ketlin Sebelius dhe guvernatorja e Arizonës, Zhanet Napolitano. Sot në Konventë do të diskutohen politika e Jashtme dhe siguria. Senatori Joe Biden, i zgjedhur nga Obama si kandidati i tij për zëvendëspresident do të flasë bazuar mbi eksperiencën e tij në politikën e jashtme dhe është folësi kryesor për sonte. Ai do të pasohet nga ish-presidenti, Bill Klinton, fjalimi i të cilit pritet të vëzhgohet me shumë kujdes, me gjithë keqardhjen e tij për dështimin e së shoqes në fitimin e kandidaturës si presidente e SHBA-së. Analistët presin që të dy meshkujt të sulmojnë rivalin republikan të Obamës, Senatorin Xhon Mekein. Sot delegatët do të kenë mundësi edhe të votimit rulon, për të mbështetur Hilari Klintonin si kandidate. Klinton ka deklaruar se do t’u kërkojë mbështetësve të saj të votojnë për Obamën. Obama do të paraqitet në Konventë të mërkurën pas përfundimit të turneut të tij. Dita e fundit, e enjtja do të ketë temë bazë të diskutimeve ndryshimet. Obama do ta mbajë fjalimin përfundimtar të Konventës, ku marrin pjesë 76 000 njerëz në Invesco Field, në stadiumin Mile High në Denver. Obama do ta mbajë fjalimin e tij të pranimit zyrtar të kandidaturës në stadiumin që ishte Xhon F Kennedy.