Aksidentohet fadromisti në galerinë e minierës
BULQIZë – Aksidentohet brenda minierës fadromisti. Kompania Austriake Albanian Chrome njoftoi se të dielën, më datë 10 janar 2010, në orën 19:00, gjatë turnit të dytë të punës në minierën e Bulqizës, specialisti Afrim Rexha, me profesion mikroskupist, ka pësuar një aksident në punë. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po i nënshtrohet një serie analizash në spitalin ushtarak në Tiranë për të vlerësuar përmasën e dëmtimit fizik nga ngjarja. Afrim Rexha, 40 vjeç po punonte me mikroskup (fadromë që funksionon brenda galerive) në nivelin e 16-të të minierës. Gjatë zhvendosjes së mjetit mbrapsht, në lëvizje, Rexha ka goditur një këmbë të armaturës së ndërtuar në këtë nivel, duke shkaktuar rrëzimin e katrorit të armimit mbi të. Goditja e këmbës së armaturës dhe rrëzimi i katrorit të armuar i kanë shkaktuar Rexhës dëmtime në kurriz. Ai është transportuar menjëherë pas aksidentit për në Spitalin Ushtarak të Tiranës ku po mbahet nën mbikëqyrjen e bluzave të bardha të këtij spitali. Ndërkaq Albanian Chrome bën me dije se po heton mbi rrethanat e ngjarjes në kuadër të praktikës proceduriale të sigurimit teknik në punë. Drejtuesit e kompanisë së huaj shprehën keqardhjen e tyre për këtë ngjarje dhe mbeten të angazhuar për të mbështetur me çdo mjet rehabilitimin shëndetësor të Afrim Rexhës. Ky është aksidenti i parë për këtë vit në minierën e kromit Bulqizë. h.p