E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, 200 banorë të Orikumit në protestë për ligjin 7501

 VLORE - Ashtu siç edhe kishin paralajmëruar më parë, 200 banorë të Orikumit, Dukatit dhe Radhimës protestuan dje për pronat e tyre. Ata protestuan fillimisht në vendin e tokave të tyre e më pas vazhduan në qendër të Orikumit deri tek bashkia duke mos lejuar të futeshin brenda institucionit punonjësit e saj. Banorët denoncuan shkeljen, që sipas tyre po i bëhet ligjit 7501 nga qeveria shqiptare. “Kërkojmë kthimin e tokës në pronësi 100 për qind dhe jo sipas dëshirës së qeverisë”, u shprehën disa prej protestuesve. Të gjithë protestuesit kanë qenë punonjës së NB-së Orikum dhe si të tillë ata janë përfitues nga ligji 7501 për rreth 450 ha sipërfaqe e ndarë në rreth 600 familje. Por dhënia e këtyre tokave pronarëve të tjerë ka ngjallur reagimin e tyre. Sipas tyre ky nuk është i vetmi abuzim i bërë nga komisioni i kthimit dhe kompensimit të pronave, pasi tokat që dikur kanë qenë ujë dhe shkurre sot janë të regjistruara në kategorinë e arrave me pronësi dy dhe tre pronarë në një sipërfaqe. Ndërkohë banorët deklaruan se do të vazhdojnë të protestojnë edhe në ditët në vijim duke bllokuar përsëri rrugën nacionale Orikum-Vlorë, si dhe Orikum- Himarë. Ata paralajmëruan gjithashtu se, nëse nuk do të zgjidhen kërkesat e tyre të cilat i kanë dërguar edhe kryeministrit para pak ditësh, në vijim do të futen edhe në grevë urie.             q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›