Aksidentohet kreu i Bashkisë së Shkodrës
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, është përfshirë dje në një aksident automobilistik. Ngjarja rrugore ka ndodhur rreth orës 11:30 të së mërkurës, në aksin rrugor nacional Shkodër-Lezhë, në vendin e quajtur "Kthesa e Gjadrit", 5 km pa hyrë në qytetin e Lezhës. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se automjeti luksoz tip "Benz Mercedez", me të cilin udhëtonte kreu i Bashkisë së Shkodrës, ka qenë duke lëvizur nga Shkodra në drejtim të kryeqytetit, kur është goditur nga një automjet tip "Golf 2", me targa të Laçit. Për pasojë, dy personat që udhëtonin në automjetin tip "Golf", kanë marrë plagë të rënda dhe aktualisht ndodhen në gjendje kritike për jetën në spitalin e qytetit të Lezhës, ndërsa kryetari i bashkisë, Lorenc Luka, dhe shoferi i tij, kanë shpëtuar pa marrë ndonjë lëndim serioz. Në vendngjarje, brenda pak minutash kanë mbërritur forca të shumta të policisë dhe drejtuesit e policisë së Lezhës dhe Shkodrës. Nga deklaratat e personave dëshmitarë në vendin e ngjarjes dhe nga ekspertiza e kryer nga grupi hetimor, ka rezultuar se shkaktare e këtij aksidenti është bërë makina tip "Golf", e cila pasi ka dalë nga korsia e lëvizjes së saj, ka humbur kontrollin duke kaluar në sensin e kundërt dhe për pasojë ka goditur dhe makinën e kryebashkiakut shkodran. Sipas policisë dyshohet se drejtuesi i automjetit tip "Golf" ka humbur kontrollin si pasojë e ndonjë defekti në sistemin e drejtimit, ose ka pasur humbje kontrolli për shkaqe shëndetësore. Kryetari i bashkisë, Lorenc Luka, pas interesimit për gjendjen shëndetësore të dy të plagosurve, ka vazhduar rrugën drejt Tiranës me një tjetër automjet, pasi kishte të planifikuar një takim në Ministrinë e Transporteve.
Ar.Ho.
Ar.Ho.