Ekstradohet i dënuari për vrasje dhe plagosje
Interpol Tirana ekstradon nga Italia të kërkuarin Zenel Brahimetaj, i dënuar me 25 vjet burg për vrasje me dashje dhe vrasje e mbetur në tentativë. Pikërisht rreth orës 17:20, 51-vjeçari durrsak është sjellë nga Milano në Rinas. Ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat, me vendimin nr. 90, datë 11 dhjetor 1992, e ka dënuar me 25 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të "vrasjes me dashje". Krimi, për të cilin Zenel Brahimetaj është deklaruar fajtor, ka ndodhur më datë 1 maj 1992, rreth orës 08:30. I arrestuari ka vrarë me armë zjarri kushëririn Muharrem Brahimetaj dhe ka tentuar të vrasë dy vëllezërit e viktimës, pas një sherri banal në lidhje me prishjen e një gardhi që ndante tokat e dy familjeve. Në mars të vitit 1997, Zenel Brahimetaj është larguar nga burgu. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, më datën 17 gusht të këtij viti, u bë arrestimi i tij, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.