Biznesmeni italian, nën akuzë për mashtrim dhe falsifikim
Një biznesmen italian është vendosur nën akuzën e mashtrimit financiar dhe falsifikimit të dokumenteve bankare. Ai akuzohet se përmes mashtrimit ka përfituar një sasi të konsiderueshme parash dhe ka mundur të "zhduket" pa gjurmë, ndërsa në një prej degëve të bankës italiane mungon vlera monetare e tërhequr prej tij. Antikrimi Ekonomik i Durrësit ka nisur procedimin penal ndaj një biznesmeni italian në vendin tonë, që ka mashtruar përmes dokumenteve false, duke tërhequr një sasi të konsiderueshme parash nga një filial banke në qytetin bregdetar. Hetimet për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh kanë nisur në mungesë ndaj shtetasit Viti Ludovico, 48 vjeç nga Bari, dhe me banim në Torino të Italisë. 48-vjeçari është administrator i shoqërisë "LVL Import Eksport", me seli në Kuçovë. Policia ka publikuar edhe adresën e tij në Torino të Italisë, ndërsa deklaron se Viti Leonardo Ludovico akuzohet për dy vepra penale të parashikuara nga nenet 143/2 dhe 186 të Kodit tonë Penal. Nëpërmjet përdorimit të një dokumenti fals të "INTEZA SANPAOLO BANK", me qendër në Avigliana të Italisë, biznesmeni ka mashtruar drejtorin e filialit të kësaj banke në Durrës, duke arritur t‘i marrë një shumë prej 15000 eurosh. Në bazë të dokumentit të paraqitur nga llogaria e tij në Itali ishin xhiruar për në llogarinë e tij në Shqipëri 450000 euro. Në bazë të këtij dokumenti, filiali i Durrësit i ka dhënë shumën e kërkuar biznesmenit italian që në shkurt të këtij viti, por më pas është zbuluar mashtrimi dhe është bërë denoncimi. Grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provës dokumentin e lëshuar nga banka italiane, si dhe dokumentacionin e tërheqjes së parave në degën e Durrësit.
Va.Qy.
Va.Qy.