E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentohet ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili

SHKRUAN: Jonida Tashi 23-03-2011 13:24

Të lënduar kanë mbetur dhe drejtori dhe shefi i kabinetit të këtij dikasteri. Ndërsa me mjetin tjetër janë dëmtuar tre persona, pjesëtarë të komunitetit musliman

ELBASAN Dy makina janë përplasur paraditen e djeshme, ndërsa në njërën prej makinave udhëtonte ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe drejtori i politikave të kësaj ministrie, Pëllumb Pipero, si dhe shefi i kabinetit, Klodian Rjepaj. Si pasojë e përplasjes së makinës qeveritare me një fugon me targa të Kosovës, janë lënduar shtatë persona

Përplasja

Sipas burimeve nga policia e Elbasanit, mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 10.00 në aksin rrugor Elbasan-Peqin, në afërsi të fshatit Papër. Automjeti me targë Kosove KS 02-203 AN, në të cilin ndodheshin Fatmir Duka 22 vjeç, Kastriot Duka 42 vjeç dhe Faik Çota 78 vjeç, u përplas me automjetin tip Benz me targë TR 0140 Z, në të cilin ndodheshin ministri Petrit Vasili; Pëllumb Pipero, 55 vjeç; drejtuesi i automjetit, Andi Harizaj, 29 vjeç; Klodian Rjepaj, 40 vjeç. Si pasojë e kësaj përplasjeje mbetën të plagosur ministri dhe shoqëruesit e tij si dhe tre muslimanë që udhëtonin me automjetin tip furgon. Ata janë dërguar menjëherë për në spitalin kirurgjik të Elbasanit, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas shefit të repartit të reanimacionit, Nikollaq Thana, ministri ka pësuar plagë në pjesën e kokës dhe këmbën e majtë. Po kështu edhe këshilltarët e tij. Megjithatë, sipas tij, gjithçka është nën kontroll dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Pas marrjes së njoftimit, ministri dhe të plagosurit e tjerë morën ndihmën e nevojshme mjekësore në repartin e kirurgjisë. Ministri ka pësuar dëmtime në pjesën e kokës dhe në këmbën e majtë, por është jashtë rrezikut për jetën dhe të gjithë treguesit e tjerë janë të stabilizuar. Pas marrjes së ndihmës së parë në Elbasan, ai u dërgua për në Tiranë për një shërbim më të specializuar. Dëmtime pak më serioze ka pacienti Pëllumb Pipero, por edhe ai është jashtë rrezikut për jetën. Ministri u interesua për jetën e stafit të tij dhe të plagosurve të automjetit tjetër”.

Dërgimi

Pas marrjes së ndihmës së parë në Elbasan, ministri Petrit Vasili dhe stafi i tij u transportuan për në Tiranë me dy helikopterë, për një shërbim më të specializuar. Interes për të lënduarit ka patur edhe Myftinia e Elbasanit. Myftiu Agim Duka u shpreh se “Jeta e tyre shpëtoi në sajë të Allahut të madhërueshëm, i cili u kujdes për ata dhe do t’u japë forcë për shërim sa më të shpejtë”. Ndërkaq në vendin e ngjarjes shkoi policia, ekspertët dhe grupi hetimor. Sipas të dhënave të para të policisë, rezulton se shkak i këtij aksidenti ka qenë parakalimi i gabuar i automjetit me targë të Kosovës, i cili udhëtonte nga Librazhdi për në Durrës, ndërkohë që ministri udhëtonte nga Durrësi në drejtim të Elbasanit, për qëllime pune. Zëdhënësja e policisë, Valbona Begu, u shpreh se “grupi hetimor, i cili kreu veprimet e para proceduriale, ka konkluduar se shkak për ndodhjen e aksidentit ka qenë se mjeti me targa kosovare ka kaluar në korsinë tjetër, duke u bërë burim për ndodhjen e aksidentit”. Megjithatë, po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti. F.S.

Të aksidentuarit

Petrit Vasili

Pëllumb Pipero

Andi Harizaj

Klodian Rjepaj

Fatmir Duka

Kastriot Duka

Faik Çota

Mjekët e Ushtarakut: Ministri në gjendje të mirë shëndetësore

Brenda ditës së sotme, ministri Vasili bashkë me dy punonjësit e tjerë të ministrisë pritet të lënë Pavijonin Vip në Spitalin Ushtarak

Ministri i Shëndetësisë është në gjendje të mirë shëndetësore dhe brenda ditës së sotme ai pritet të lërë ambientet e Spitalit Ushtarak. Mjekët e Ushtarakut, që kanë asistuar në ndihmën mjekësore që i është dhënë ministrit Vasili, menjëherë pasi ai ka mbërritur në këtë spital bëjnë të ditur për gazetën se gjendja e tij shëndetësore nuk paraqet probleme, me gjithë dëmtimet e lehta që ai ka pësuar gjatë aksidentit. Mjekët e Urgjencës pranë këtij spitali shpjegojnë se të vetmet dëmtime që ministri i Shëndetësisë ka nga aksidenti janë: plaga e vogël në kokë rreth 2 cm, që i është qepur që nga bluzat e bardha në qytetin e Elbasanit, ku u dërgua fillimisht ministri për të marrë ndihmën e shpejtë mjekësore; hematoma në njërën këmbë, që edhe i ka pësuar një ënjtje, por që nuk paraqet asnjë rrezik për gjendjen e tij shëndetësore, pasi vena kryesore që qarkullon gjakun funksionon; po ashtu, ministri ka pësuar edhe një shtypje të lehtë në pjesën e sipërme të trupit, që, sipas mjekëve, nuk paraqet asnjë rrezik për shëndetin e tij, sepse nuk bëhet fjalë për dëmtime serioze, si thyerje brinjësh apo dëmtime të organeve. Këtë konfirmim për gjendjen e mirë shëndetësore të kreut të Shëndetësisë e kanë dhënë edhe të gjitha analizat që ai u është nënshtruar në Spitalin Ushtarak, ku mësohet se çdo gjë ka rezultuar në parametrat e duhur. Përpos këtij fakti, burime zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se ministri Vasili i është nënshtruar një konsulte neurologjike, për shkak të plagës në kokë, nga neurologu më i njohur në vendin tonë Mentor Petrela, nga e cila nuk ka rezultuar asnjë problem apo dëmtim në kokë. Po ashtu, pranë ministrit të Shëndetësisë, që është njëkohësisht edhe eprori më i lartë i të gjitha bluzave të bardha të vendit, kanë qenë pothuajse të gjithë emrat më të njohur të mjekësisë shqiptare. Kështu, mësohet se ministri Vasili është vizituar nga shefi i Traumatologjisë pranë Ushtarakut, mjeku Fatos Olldashi, si dhe nga nëndrejtori i këtij spitali, Alfred Gega. Ndërkaq, për t’i ofruar kushte sa më komode trajtimi, ministri Vasili, bashkë me dy punonjësit e tjerë të Ministrisë, Pëllumb Pipero dhe Klodian Rjepaj janë shtruar në Pavijonin e Vip-ave pranë Ushtarakut, ku përveç vizitave që i kanë bërë njerëzit e tij të afërt dhe të njohur, nuk lejohej hyrja e asnjë personi tjetër, qoftë ky edhe personeli mjekësor i spitalit. Sakaq, përveç zhurmës së lehtë të derës së pavijonit që çelej tepër ngadalë dhe hapave të kujdesshëm të njerëzve që kishin shkuar të vizitonin ministrin Vasili, drejtorin e Politikave dhe Menaxhimit Shëndetësor, Pëllumb Pipero, dhe drejtorin e Kabinetit, Klodian Rjepaj, në Pavijonin e Vip-ave nuk pipëtinte as miza. Sikurse ministri Vasili, mjekët e Ushtarakut bëjnë të ditur se edhe për dy të plagosurit e tjerë nga aksidenti gjendja shëndetësore nuk paraqet asnjë problem shqetësues. Për fat të mirë, ata të tre kanë shpëtuar mrekullisht nga ky aksident, por, sipas mjekëve, fati më shumë duket se i ka buzëqeshur drejtorit të Politikave, i cili është në gjendje shumë të mirë shëndetësore, dhe ka vetëm një plagë të vogël në kokë. Duke marrë shkas nga gjendja e mirë shëndetësore e tre të plagosurve, mjekët dhe burime zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se brenda 24 orëve ata do të lenë spitalin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›