E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentohet pas takimit elektoral deputeti i PD-së, Mehmet Xheka

Aksidentohet ndërsa udhëtonte me makinën e tij pas përfundimit të një takimi elektoral deputeti i Partisë Demokratike, Mehmet Xheka. Makina e Xhekës, i cili është i dyti në listën e kandidatëve të PD-së në Qarkun e Beratit, u përfshi në një aksidenti automobilistik dje. Makina e drejtuar nga shoferi i deputetit u përplas me murin anësor të rrugës, ndërsa udhëtonte në drejtim të Beratit pas një takimi elektoral në qytetin e Çorovodës. Rreth orës 13:00, pasi përfundoi takimi me simpatizantët demokratë në Çorovodë, ku ka marrë pjesë edhe zv/kryeministri Genc Pollo, drejtuesit lokalë të PD-së janë nisur me një kolonë makinash drejt qytetit të Beratit. Mjeti me të cilin udhëtonte Xheka u përplas me murin anësor të rrugës sapo kaloi qytetin e Poliçanit. "Mercedesi" u përplas me murin në krahun e pasagjerit, ku ishte ulur deputeti demokrat. Menjëherë pas goditjes së marrë, ai u transportua me urgjencë drejt spitalit të Beratit. Burime të Repartit të Urgjencës pranë këtij spitali bënë të ditur se mjeku i njohur kardiolog, deputet i këtij qyteti, Mehmet Xheka, mbërriti rreth orës 13:30 në ambjentet e këtij reparti. Kolegët e tij konstatuan se si pasojë e aksidentit rrugor, ai kishte pësuar një frakturë në shpatullën e majtë, si dhe disa plagë të tjera në nofull dhe dorën e majtë. Menjëherë deputeti Xheka mori ndihmën e parë shëndetësore, ndërkohë që pak minuta më pas mjekët vendosën dërgimin e tij drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. Xheka u dërgua me helikopter drejt Spitalit Ushtarak, për një ndihmë më të specializuar, ndërkohë që gjendja shëndetësore e tij ishte e qëndrueshme dhe jashtë çdo rreziku për jetën. Drejt vendit të ngjarjes shkuan më pas ekspertët e qarkullimit rrugor, të cilët nisën hetimet për të mësuar shkaqet e këtij aksidenti. Në të dalë të qytetit të Poliçanit, rreth 25 kilometra larg Beratit u bllokua mjeti tip "Mercedes Benz", me ngjyrë blu, ku udhëtonte deputeti demokrat. Ekspertët e policisë thanë paraprakisht se aksidenti ka ndodhur për shkak të shpejtësisë së madhe, por hetimet po vazhdojnë dhe për këtë arsye makina e deputetit është çuar në ambientet e policisë së Beratit, për t‘iu nënshtruar ekspertizave të mëtejshme. Mehmet Xheka, 55 vjeç, është një prej mjekëve kardiologë më të njohur në qytetin e Beratit. Ai u zgjodh deputet i Beratit, në zgjedhjet e vitit 2005 dhe është në garë për të fituar mandatin e tij të dytë, duke u përfshirë i dyti në listat e kandidatëve të PD-së në Berat, për zgjedhjet e 28 qershorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›