E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Misioni ynë është të ndërtojmë Shqipërinë e re

Drejtori ekzekutiv i fondacionit "Qemal Stafa", Saimir Tahiri, flet për angazhimin e tij në politikë dhe pozicionimin në vend të katërt të listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në Tiranë.

Pse vendosët të garoni në zgjedhjet e 28 qershorit nën siglën e Partisë Socialiste?

Vendimi për t‘u bërë pjesë e ekipit që do të përfaqësojë Partinë Socialiste në garën elektorale të 28 qershorit dhe më tej në mandatin e ardhshëm legjislativ, është një rrjedhojë e natyrshme e angazhimit tim gjatë gjithë kësaj kohe. Bashkë me kolegët brenda dhe jashtë PS, kemi arritur me sukses të ndërtojmë një skuadër fituese në të cilën ndërthuren më së miri eksperienca politike e atyre që kanë mbajtur ndër vite peshën e qeverisjes së PS ashtu dhe energjitë e gjithë atyre të rinjve që për këtë vend kanë shumë të japin.

Cilat mendoni se janë pesë avantazhet kryesore me të cilat partia juaj shkon drejt zgjedhjeve?

Partia Socialiste ka tashmë një program të ri, një ekip të ri dhe një lider të ri që përbëjnë elementet thelbësore jo vetëm të fitores tonë më 28 qershor, por janë edhe garancia më e mirë e implementimit të plotë të të gjitha angazhimeve programore që bashkë me shqiptarët ne kemi kataloguar në programin dhe planin e punës për 4 vitet e ardhshme. Vullneti ynë për të bashkuar eksperiencën më të mirë qeverisëse të deritanishme me vizionin e një Shqipërie të re që ne duhet të ndërtojmë pa humbur kohë, janë karaktere të shtuara në këtë rrugëtim që do marrë udhë më 28 qershor me fitoren e Partisë Socialiste.

Në këndvështrimin tuaj, cilat janë pesë dizavantazhet e kampit kundërshtar në këto zgjedhje?

Kjo mazhorancë ka më shumë se pesë dizavantazhe, të cilat i kanë vështirësuar përditë e më shumë jetën çdo shqiptari të ndershëm. Megjithatë, ne nuk garojmë me dizavantazhet e kundërshtarit, por me avantazhet tona për t‘u bërë ballë problemeve që ky vend sot ka. Një qeveri e paaftë dhe gënjeshtare mund të mos bëjë punë të mira, por të paktën mundohet të mos bëjë të këqija. Fatkeqësisht, kjo mazhorancë nuk është vetëm kaq, por është karakterizuar edhe nga vullneti për t‘u pasuruar padrejtësisht në kurrizin tonë duke i shkaktuar më shumë plagë trupit të lodhur të shoqërisë shqiptare.

Këto nuk janë dizavantazhe të kundërshtarit, por të një populli të tërë të cilat ne jemi të vendosur t‘i kapërcejmë të gjithë bashkë pas fitores së 28 qershorit.

Çfarë mund t‘i ofroni ju qeverisjes së nesërme dhe performancës së partisë suaj?

Mendoj se përveç karakteristikave individuale, legjislativi i ardhshëm ka nevojë për t‘u shëruar nga disa sëmundje të cilat besoj janë pasojë e deformimit të skajshëm të përfaqësimit politik e që ka prodhuar plot skepticizëm e apati te shumë qytetarë. Injoranca, arroganca, padrejtësia, abuzimi, harresa amnezike e shumë e shumë të tjera janë probleme që kanë detyruar qytetarin të dallojë te Parlamenti dhe politika më shpejt një arenë gladiatorësh apo një teatër marionetash më shumë se një platformë debati ku fitojnë idetë dhe projektet që më mirë zgjidhin hallet e këtij populli. Besoj këto janë problemet imediate që duhen korrigjuar me frymën e një ekipi të stërvitur vetëm për një qëllim, t‘i shërbejë Shqipërisë si më mirë mundet. Vlerat e secilit prej nesh, janë vetëm një garanci më shumë.

Përtej pozicionimeve të fushatës, nëse do t‘u duhej të vlerësonit njërin prej kandidatëve kundërshtarë në qarkun tuaj, cili do të ishte ai?

Vlerësoj çdo demokrat të ndershëm që njëlloj si të gjithë socialistët apo shqiptarët pa parti, vuan mungesën e dritave apo rritjen e çmimit të tyre, mungesën e ujit, varfërinë, papunësinë, denigrimin, nëpërkëmbjen, injorimin e pushtetit, korrupsionin e shumë të tjera që një grusht njerëzish i ka shkaktuar me abuzivizëm e kemi qenë të detyruar t‘i duronim heshtur bashkë me mazhorancën dërrmuese të këtij populli. Por jemi njëlloj të vendosur që ta ndryshojë pa kompromis këtë situatë që nuk mund t‘i marrë me frymën të ardhmes sonë të përbashkët.

CV

Saimir Tahiri

Ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë

Është angazhuar në drejtim të fondacionit "Qemal Stafa" pranë Partisë Socialiste

Anëtar i forumeve drejtuesve të partisë dhe pedagog në universitet

Para pak vitesh ka mbajtur funksionin e zëdhënësit të Partisë Socialiste



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›