Berisha: Data e zgjedhjeve më 28 qershor
Kryeministri Sali Berisha i bëri me dije dje delegacionit të Komisionit Ad Hoc të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i ngarkuar me vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit zhvillimet e fundit të procesit zgjedhor. Kryeministri konstatoi se "përkundër thirrjeve të vazhdueshme të qeverisë që shtetasit të pajisen me letërnjoftim, opozita ka dhënë pa sukses mesazhe shkurajuese që nuk kanë mundur të cenojnë suksesin e procesit dhe shprehu vendosmërinë për zhvillimin e zgjedhjeve në afatin e tyre kushtetues". Anëtarët e komisionit, të kryesuar nga parlamentarja holandeze, Corien Jonker, kanë informuar kreun e qeverisë shqiptare se një delegacion prej 20 parlamentarësh do të vijë në Shqipëri për të vëzhguar zgjedhjet. Në lidhje me pajisjen e shtetasve me letërnjoftime elektronike, Kryeministri bëri me dije se të gjithë ata shtetas pa pasaporta do të pajisen me letërnjoftim, kundrejt jo më shumë se 200 lekësh, në rast se aplikojnë para zgjedhjeve parlamentare.