E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Evropa alarmohet për kartat

Çështja e kartave të identitetit është kthyer në qendër të vëmendjes edhe për Këshillin e Evropës. Misioni paraelektoral i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës lëshoi dje një deklaratë pas takimeve me krerët e lartë të shtetit. Delegacioni thekson se autoritetet kanë përgjegjësinë të marrin të gjitha masat e nevojshme për t‘i siguruar çdo votuesi një kartë të re identiteti, në mënyrë që të sigurohet se të gjithë votuesit do të jenë në gjendje të përmbushin të drejtën e tyre kushtetuese më 28 qershor. "Çështjet lidhur me kartën e identitetit duhet të zgjidhen në një mënyrë plotësisht transparente për të siguruar besimin publik, si dhe besimin e të gjitha partive politike, në procesin elektoral demokratik në Shqipëri", thuhet në deklaratë. Delegacioni vërejti se Kodi Elektoral i përmirësuar në mënyrë domethënëse, i miratuar në dhjetor 2008, mund të ketë një impakt pozitiv në zhvillimin e procesit elektoral demokratik. Megjithatë, për të implementuar Kodin në besim të plotë, kërkohet gjithashtu angazhim për të respektuar Kodin nga partitë kryesore politike. Delegacioni paraelektoral thekson nevojën e mbulimit mediatik të paanshëm dhe të balancuar, veçanërisht nga Transmetuesi Publik (RTSH), i cili nuk duhet të ketë influencë politike. Delegacioni mirëpret pluralizmin e opinioneve në median e shkruar, por është i preokupuar nga problemi i aksesit të barabartë për të gjitha partitë politike në median e transmetuar. Sakaq, KiE shpreh shqetësim lidhur me mungesën e transparencës në financimin e fushatës elektorale nga partitë politike. Më tej vlerësohet se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 do të jenë një test pjekurie për demokracinë në Shqipëri. "Në këtë drejtim, u bëhet thirrje autoriteteve në Shqipëri të implementojnë plotësisht rekomandimet e Asamblesë Parlamentare që i përmban Rezoluta e saj 1538 (2007)", shkruan deklarata. Delegacioni thekson se zgjedhjet demokratike nuk janë të kufizuara vetëm në ditën e votimit. Ndaj, vijon deklarata, autoritetet e vendit dhe të gjithë aktorët politikë kanë përgjegjësinë të sigurojnë kushtet e nevojshme për shprehjen e lirë të vullnetit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. "Delegacioni pret dhe do ta ndjekë nga afër, që autoritetet do të garantojnë karakterin demokratik të këtyre zgjedhjeve siç është premtuar", nënvizohej në deklaratë. Delegacioni paraelektoral, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, takoi Kryeministrin, SH.E.T dr. Sali Berisha, Kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli, ministrin e Punëve të Jashtme, SH.E.T Lulzim Basha, ministrin e Brendshëm, SH.E.T Bujar Nishani, anëtarët e delegacionit shqiptar në APKE, Kryetarin dhe anëtarët e KQZ-së, liderët e partive politike që marrin pjesë në këto zgjedhje, përfaqësuesit e medias, shoqërisë civile dhe të komunitetit ndërkombëtar. Asambleja Parlamentare do të dërgojë një delegacion me 20 anëtarë për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009. Anëtarët e delegacionit paraelektoral ishin: Corien Jonker, kreu i delegacionit Andrej Zernovski, Indrek Saar dhe Ganira Pashayeva.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›