E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentohet për vdekje 62-vjeçari

Një 62-vjeçar nga fshati Portëz i rrethit të Fierit është aksidentuar për vdekje mbrëmjen e së mërkurës. Aksidenti ka ndodhur në aksin rrugor Fier-Ballsh, në afërsi të vendit të njohur me emrin Kthesa e Portzës. Sipas burimeve zyrtare të Komisariatit të Policisë Fier, bëhet e ditur se shtetasi Rushan Rushani, 62 vjeç, lindur e banues në Portëz, është çuar i vdekur në spital. Mjekët e spitalit thanë për policinë se i moshuari ka ardhur me një automjet të rastit dhe ka pasur dëmtime të shumta në trup. Burimet e policisë tregojnë për gazetën se Rushan Rushani është goditur nga një makinë kur ka qenë duke kaluar nga një krah i rrugës në tjetrin. Ai po kthehej nga kullota për në banesën e tij me një lopë, të cilën e mbante me litar. Për shkak të mungesës së ndriçimit në rrugë, një automjet tip "Jeep" me targa të huaja e ka përplasur. Policia ka bërë shoqërimin e shoferit të përfshirë në aksident, por paraprakisht thuhet se në aksident ka ndikuar edhe mungesa e ndriçimit në rrugë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›