E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, atentat ndaj djalit të Mile Çamit

Një 20-vjeçar nga Fieri i ka mbijetuar një atentati me armë mbrëmjen e djeshme. Ai ka qenë në një lavazh pranë shtëpisë kur një person me motoçikletë dhe me kokore i është afruar dhe ka qëlluar dy herë në drejtim të tij, duke e plagosur. Viktima, Ilir Emini, është djali i Fatmir Eminit, i njohur në Fier me nofkën Mile Çami dhe që është dënuar dy vjet më parë për një vrasje dhe po gjykohet për dy të tjera. Atentati ka ndodhur rreth orës 21.30 të mbrëmjes së djeshme. Ilir Emini ka qenë vetëm pak metra larg banesës së tij në lagjen "29 Nëntori". "Ishte pranë një makine që po lahej dhe nuk e ka vënë re personin që i është afruar befas me motor", tha për "Shqip" një oficer i Policisë së Fierit. I njëjti burim sqaroji se personi me motor ka nxjerrë një armë zjarri dhe me të ka qëlluar në drejtim të 20-vjeçarit Ilir Emini. Më pas atentatori është futur në një rrugë lagjeje dhe është zhdukur pa gjurmë. Persona që ndodheshin rastësisht në vendin e ngjarjes dhe dy shokët e 20-vjeçarit e kanë transportuar atë me të shpejtë drejt spitalit rajonal të Fierit. Urgjenca e spitalit e ka dërguar menjëherë djalin e Miles për në sallën e reanimacionit, ku mësohet se rreth orës 22.00 u është nënshtruar mjekimeve të specializuara. Sipas mjekëve, Ilir Emini ka marrë dy plumba, një në krah dhe një në këmbë. Ai është jashtë rrezikut për jetën, edhe pse si pasojë e plumbave dhe plagëve ka humbur shumë gjak. Policia është informuar menjëherë për ngjarjen dhe ka shkuar fillimisht në lagjen "29 Nëntori". Në lavash, ku edhe ndodhi atentati, policia ka gjetur dy gëzhojat, si dhe ka marrë shumë dëshmi nga dëshmitarë okularë. Policia nuk është prononcuar ende zyrtarisht për motivin e kësaj plagosjeje, por burime konfidenciale nga grupi i hetimit tregojnë se dy janë pistat e mundshme. Një prej pistave është hakmarrja që mund të ketë lidhje me aktivitetin kriminal të të atit, ndërsa pista tjetër lidhet me problemet e tij personale. Nuk ka ende asnjë person të ndaluar apo të dyshuar, ndërkohë që Fieri është rrethuar nga postblloqet e policisë që kontrollojnë çdo mjet motorik që hyn apo del nga qyteti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›