E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, gjendet trupi pa jetë i një burri

Gjendet trupi i dekompozuar i një njeriu në Gjirokastër. Trupi i pajetë i seksit mashkull është gjetur gjatë orëve të pasdites së djeshme në vendin e quajtur kodrat e liqenit të Viroit. Kufoma është gjetur rastësisht nga një bari i zonës, që kishte dalë si çdo ditë për të kullotur bagëtinë. Bariu sapo ka ndeshur me trupin pa jetë ka lajmëruar policinë, e cila ka mbërritur menjëherë në vendin e sinjalizuar. Grupi i ekspertëve të kriminalistikës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës kanë ekzaminuar trupin e viktimës, i cili ende nuk është identifikuar. Dekompozimi i kufomës e ka bërë të pamundur për momentin identifikimin dhe e vetmja gjë që është mundur të mësohet deri tani është fakti që kufoma i përket një mashkulli. Pas shqyrtimit paraprak bëhet e ditur se burri duhet të ketë të paktën dy muaj që ka vdekur, por rrethanat ende janë të paqarta deri në përfundim të autopsisë. Ekspertët e kriminalistikës kanë shqyrtuar gjithë zonën dhe kanë marrë në pyetje bariun, për të marrë sa më shumë detaje që mund të çojnë në zbardhjen e ngjarjes. Bariu ka treguar se duke kaluar aty pranë ka ndjerë një erë të keqe. "U afrova fillimisht nga era tepër e rëndë dhe mendova se mund të ishte ndonjë bagëti e ngordhur, por kur u afrova dallova trupin e pajetë të një njeriu", mësohet të jetë shprehur për uniformat blu. Ndërkohë, një grup ekspertësh i Drejtorisë së Qarkut të Gjirokastrës po punon për zbardhjen e detajeve dhe identifikimin e kufomës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›