E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani jep alarmin për kushtet në azile dhe jetimore

Zyra e Avokatit të Popullit ka inspektuar azilin e pleqve dhe shtëpinë e fëmijës në Shkodër, duke gjetur një sërë problemesh. Inspektorët kanë konstatuar se në shtëpinë e fëmijës në Shkodër kishte lagështirë dhe veshmbathjet nuk ishin të mjaftueshme. Ndërsa në azilin e pleqve problemi kryesor ishte asistenca mjekësore, si edhe veshmbathjet. Ky institucion përbëhej nga një godinë e vetme dykatëshe, e ndarë nga dhoma me dy shtretër, me TV, krevate dhe komodina të reja, dollapë të bollshëm për rrobat dhe një tualet me dushe në çdo korridor. Gjatë këtij inspektimi u vunë re kushte të mira të dhomave ku strehoheshin pleqtë, godinë kjo e rikonstruktuar vitet e fundit. Krahas të mirave kishte edhe probleme, si mungesa e asistencës mjekësore, e cila deri në dhjetor të vitit 2008 sigurohej nga një mjek i punësuar me kontrate part-time. Që nga janari i këtij viti kjo gjë nuk funksiononte më për shkak të shkurtimit të fondit për pagesën e këtij mjeku. Gjithashtu problem ishte edhe lavanderia. "Shqetësues mbetej fondi i vënë në dispozicion për veshmbathje, i cili nuk mjaftonte për këtë kategori të moshuarish. Problem tjetër i ngritur nga stafi i kësaj shtëpie ishte mungesa në listën e pranimit për këta persona nga shërbimi social, të librezës shëndetësore, e cila e vështirësonte punën, pasi personat e strehuar janë nga rrethe të ndryshme të vendit", thanë inspektorët e Dobjanit.

Ndërkohë, shtëpia e fëmijës ishte një godinë dykatëshe, e bollshme për kapacitetin e plotë të saj për 70 fëmijë, por që aktualisht strehohen 36 fëmijë, ndër të cilët 26 djem dhe 10 vajza të moshës 6-15 vjeç. Problem shqetësues, sipas Avokatit të Popullit, mbetej lagështira nëpër mure, në korridore, dhoma dhe në mensë. Kjo sipas drejtuesit vinte si rezultat i mungesës së hidroizolimit të tarracës. Furnizimi me artikujt e veshmbathjes së tyre ishte një shqetësim tjetër i rëndësishëm për këta fëmijë dhe fondi i vënë në dispozicion nuk mjaftonte, duke pasur parasysh se në këtë moshë është edhe kulmi i zhvillimit të tyre fizik. Edhe për furnizimin me ujë shumë shpejt do të fillonte një investim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›