Aksidentohet polici i Shënkollit
MIRDITE - Një polic i burgut të Shënkollit u plagos pas një aksidenti me makinë, ndërsa humbi për disa orë edhe pistoletën e shërbimit. Sipas policisë, ngjarja ndodhi në aksin rrugor Rubik-Milot. "Makina tip "Benz", që drejtohej nga Lazër Përlesi, punonjës i burgut të Shënkollit në Lezhë ka dalë nga rruga, duke rënë në lumin Mat", bëri të ditur policia. Mësohet se aksidenti ndodhi rreth orës 16:00 në afërsi të fshatit Fangë në Rubik. Mjeti pësoi disa rrotullime, derisa përfundoi në lumin e Matit. Për pasojë, Përlesi u plagos rëndë duke pësuar disa fraktura në trup. Por ai mundi të dalë nga makina e t'i shpëtojë mbytjes. Sipas policisë, shkak i këtij aksidenti dyshohet të jetë pamja e kufizuar si rezultat i reshjeve që po binin në momentin që ka ndodhur ngjarja. Favorizuar dhe nga terreni i rrëshqitshëm, mjeti doli nga rruga duke rënë 30 metra poshtë. Drejtues të tjerë mjetesh e dërguan në spitalin e Lezhës viktimën, i cili mësohet se është jashtë rrezikut. Policia mundi të gjejë pas disa orësh pistoletën e humbur të policit, e cila kishte rënë disa metra larg vendit të ngjarjes. r.n