PS reagon për rrugën
GJIROKASTER - Dega e Partisë Socialiste të Gjirokastrës ka reaguar dje ndaj qeverisë për vonesën e qëllimshme, sipas tyre, të rehabilitimit të aksit rrugor Gjirokastër-Kakavijë. Në një deklaratë për shtyp, kreu i PS-së së Gjirokastrës Florijan Hysi, i ka quajtur të papranueshme dhe bajate justifikimet e qeverisë shqiptare për vonesat e krijuara në përfundimin e punimeve në zonën e Viroit. Sipas Hysit, punimet për ngritjen e nivelit të rrugës në zonën e Viroit e deri në zonën industriale me një gjatësi rreth 4 km, po ecin me ritme të ngadalta. "Jemi mësuar tashmë me ritualet e përditshme bajate të kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë së turpit 'Berisha', me përurimet nga dy apo tre herë të rrugëve, ujësjellësve apo objekte të tjera, që janë startuar nga qeveria socialiste", ka pohuar ai. Sipas Hysit, një investim për këtë pjesë nga qeveria aktuale prej 60 milionë lekësh, nuk arrin të përfundojë, duke sjellë amulli në qarkullimin e automjeteve dhe shkaktimit të reve të pluhurit në kohë me diell. Në deklaratën e tij kryesocialisti gjirokastrit u shpreh se "tashmë qytetarët e Gjirokastrës kanë mësuar dredhinë e Berishës për ndërtimin e veprave elektorale, duke i lënë ato qëllimisht në mes, për t'i vijuar dy apo tre muaj para zgjedhjeve, pse jo, në fushatën elektorale të vitit që vjen". p.n