E Diel, 1 Nëntor 2026

Luante me shokët, mbytet në Osum fëmija 8-vjeçar

 

URA VAJGURORE - Mbytet në lumë teksa luante me shokët fëmija 8 vjeçar. Viktima nga lagjja "Guri i Bardhë" në Urën-Vajgurore është mbytur paraditen e djeshme në ujërat e Osumit. Sipas policisë, 8-vjeçari Kozma Nako ishte duke luajtur me shokët në breg të lumit me litar dhe nga një pakujdesi e momentit ka rënë brenda në lumë. Por rrjedha e tij e ka marrë atë me vete. Fëmija nuk ka ditur të notojë dhe është fundosur menjëherë. Në pamundësi për ta ndihmuar, bashkëmoshatarët, të cilët janë ndodhur në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë në banesën e tij duke vënë në alarm prindërit e 8-vjeçarit. Ata shkuan në vendin e ngjarjes, por kërkimet e para rezultuan të kota, pasi trupi i fëmijës nuk dukej asgjëkund. Më pas prindërit e vogëlushit sinjalizuan policinë, e cila shkoi menjëherë në vendin ku ndodhi tragjedia e familjes Nako. Mësohet se në aty mbërritën forcat e policisë dhe trupat ushtarake të ndërhyrjes së shpejtë në Poshnjë, të cilët pas kërkimeve në shtratin e lumit Osum kanë bërë të mundur pas një ore gjetjen e trupit të pajetë të fëmijës. Burime të policisë bënë të ditur se fëmija kishte shkuar tek bregu i lumit me disa shokë për të rrëshqitur në ledhin e lumit me litar duke imituar alpinistët. Por litari është shkëputur dhe fëmija ka përfunduar në ujërat e lumit Osum. Ujërat kanë qenë të rrëmbyeshëm e për pasojë fëmija nuk ka mundur të dalë me not në breg.                                d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›