E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërmeti, dibranët gdhihen jashtë dhe me sytë nga shteti

 

Nga Dibra, Ferdinand Dervishi

Altini, vogëlushi 6-vjeçar i familjes Xhiveshi,  nga fshati Okshatinë, mëngjesin e djeshëm u zgjua nën strehëzën e improvizuar që i ati, Isai, ndërtoi në bahçe duke përdorur furka e llamarina. Largoi tej velenxën e trashë me të cilën e ëma e kishte mbuluar, pasi atë e kishte kapluar gjumi dhe fërkoi sytë për një kohë të gjatë, duke u përpjekur të sjellë në mend se ku ishte, qysh kur ishte dhe përse nuk u zgjua në dhomën e tij. Përmes hungërimave të shtrëngatës së gënjeshtërt të mbrëmjes së shkuar dhe të ftohtit të natës, që këtyre anëve bën i hidhur qysh në fillim të shtatorit, dhjetëra familje të tri komunave dibrane të dëmtuara nga tërmeti i para dy ditëve, dhjetëra familje që kanë në përbërje të tyre edhe fëmijë të vegjël, bashkëmoshatarë të Altinit, gdhinë natën e dytë nën qiellin e hapur. Pas më shumë se 24 orësh nga lëkundja që katandisi në të pajetueshme një numër të konsiderueshëm shtëpish në komunat e Shupenzës, Gjoricës e Ostrenit, shteti nuk ka mundur të shpërndajë të paktën çadra për atë pjesë të banorëve që janë të detyruar ta gdhijnë jashtë. Apo saktësisht disa çadra janë shpërndarë, por pa shkuar te nevojtarët e vërtetë dhe që rrjedhimisht kanë mbetur pa u përdorur.
“Unë isha në gjumë kur ra tërmeti. Burri ishte zgjuar. Më bërtiti të merrja fëmijët e të dilja. Jashtë dëgjoheshin krisma. Sikur dikush qëllonte me automatik. Mbeta pak momente si e mpirë. Isha e terrorizuar. E mora në krahë djalin e vogël. Copat e tavanit na binin në kokë. S’u futëm më brenda. Nxorëm ca shtresa dhe mbështollëm fëmijët. Toka vazhdoi të dridhej gjithë natën. Edhe mbrëmë ranë tërmete. Hapnin edhe njerëzit fjalë se do bjerë në këtë orë apo këtë ditë... Ne besonim. Kur zbardhi bëmë këtë strehimin, që të mos na kapë vesa e shiu. Se brenda nuk kemi besë të flemë. Ju e patë edhe vetë se si dridhet e gjithë shtëpia vetëm nga pesha e njerëzve që ecin në katin e dytë. Të paktën të na kishin sjellë një çadër. Pa ku i dihet fatit tonë tani. Të kishim të ardhura të mjaftueshme nuk e donim ndihmën e shtetit, e bënim sërish shtëpinë të re, po nuk kemi”, janë as më shumë dhe as më pak  fjalët e sinqerta të Sere Xhiveshit, të zonjës së shtëpisë dykatëshe të ndërtuar, si pothuaj të gjitha të dëmtuarat e zonës, me tulla balte të papjekur, apo me plita si u thonë banorët e kësaj zone.
Me shtet dhe pa shtet
“Ka edhe një tjetër banesë shumë të dëmtuar këtu në Okshatinë”. Si shpesh në të tilla raste ngjarjesh të pazakonta fëmijët bëjnë shoqëruesit apo orientuesit më të mirë. Banesa, sërish dykatëshe, sërish e ndërtuar me tulla balte dhe sërish e dëmtuar nga të katër anët, është e Besim Allçiut, baba i tetë fëmijëve. “Natën fjetëm në makinë. Kemi frikë të flemë në shtëpi, se mos bie tërmet sërish dhe këtë radhë na zë brenda”, thotë Dashuria, e zonja e shtëpisë. Një çast më pas grumbulli i madh i banorëve kureshtarë, një pjesë e të cilëve ngatërrojnë gazetarët me të dërguarit e pushtetit vendor apo të qeverisë, nisnin të shpjegojnë se si në atë fshat ka gjithsej 12 familje që flenë jashtë dhe që nuk u janë dhënë çadra, se edhe tërmeti i vitit të largët 1967 ka qenë po kaq i fortë, madje me viktima, se kjo zonë e bregut të Drinit njëherë në 25 vjet tronditet nga lëkundje të frikshme të tokës, se sa herë që diku larg bie tërmet, toka e kësaj zone dridhet më shumë se pjesët e tjera... “Ishte si një shfrim, si një duf i tmerrshëm në orën 12 pa 8-9 minuta të natës. U fikën dritat. I përplaste njerëzit pas mureve. Goditjet mu dukën sikur vinin nga jugu. Te pazari, në hyrje të Shupenzës ka shumë shtëpi të dëmtuara. Edhe ato që janë bërë vitet e fundit dhe që janë me kolona betoni. Sepse tërmeti ecka sipas fortësisë së shtresave të tokës”, rrëfen Brahimi, një nga nëpunësit e Komunës së Shupenzës, ndërtesa trekatëshe e së cilës, ndërtuar me gurë lumi e mure të gjerë, është bërë sallatë nga tërmeti. Gjithsesi, ndryshe nga dëshmitë e banorëve të Okshatinës, nëpunësi i Komunës së Shupenzës pohon se tashmë e kanë nisur punën në terren komisionet e vlerësimit të dëmeve, të përbëra edhe nga të dërguar të Ministrisë së Brendshme. Porse pak kilometra më tej, në Gjoricën e Epërme, të zotët e shtëpive të dala jashtë përdorimit prej tërmetit, mohojnë t’u ketë trokitur kush në derë. Dy shtëpi të vëllezërve Ylli e Brahim Lika janë bërë të pabanueshme, ndërkohë që nëna e tyre, Nete Lika, apo më saktë gjyshja e dy familjeve, thotë se shteti të paktën t’u kishte dhënë çadra. “Po flemë jashtë. Ftohtë bën. Por të paktën të flemë në çadra. Ja, nusja, që ka djalin motak, mbrëmë fjeti brenda, te gërmadhat. Sepse s’mund të linte djalin të flinte jashtë në të ftohtë”.
Hallexhinj dhe pehlivanë
Sërish në Gjoricë, por pak më poshtë, aty ku tabani bëhet njësh me nivelin më të ulët të zonës që është rreth 450 metër mbi nivelin e detit, dy banorë të zonës pohojnë se i kemi gjetur pikërisht duke biseduar për tërmetin. “Epiqendra e tërmetit duhet të ketë qenë në Zadaricë. Të paktën sipas hartës së sizmiologjisë. Aty ku është bërë lufta e famshme e Hajredin Pashës. Aty janë ende varret e ushtarëve turq të vrarë. Këtë po bisedonim. Tërmeti i vitit 1967 nuk la asnjë oxhak në këmbë. Kurse ky i pardjeshmi nuk i lëvizi fare. Na u duk se këtë radhë lëvizjet e tokës nuk ishin horizontale, por vertikale. Kjo mund të thotë se epiqendra nuk ka qenë larg. Madje mund të ketë qenë edhe nën këmbët tona”, lëshojnë hamendjet në ajër bashkëfolësit.     
Ca më poshtë, në qendër të fshatit Gjoricë, para dhe brenda komunës, ka një numër të pazakontë banorësh. Ndërsa para derës së kryetarit Xhelal Mera njerëzit nxijnë si mizë lisi. Dikush shpjegon se brenda bëhet një mbledhje me ata të Ministrisë së Brendshme dhe me një funksionar të lartë të policisë. Të gjithë ata që presin thonë se i kanë shtëpitë të pabanueshme, se kanë nevojë për meremetim, se duhen bërë nga e para. Por jo të gjithë duken se e kanë shumë seriozisht. Siç rëndom ndodh në të tilla raste, mes hallexhinjve gjenden edhe pehlivanët e përfitimeve.
Vendi më i frikshëm
Ndërsa vendi më i frikshëm i pasojave të asaj që ka ndodhur duket se është një lagje e fshatit Çerenec, që gjendet i gjeografikisht në perëndim, i baraslarguar nga Shupenza e Gjorica. Në qafë të kodrës që të çon në fshat, në një kthesë, lëkundjet e tërmetit kanë vizatuar në largësi 5 metër nga njëra-tjetra dy të çara të holla 3-4 centimetërshe. Të çarat që nuk janë dëmtuar aspak nga lëvizja e makinave, sipas banorëve vazhdojnë në bahçet e shtëpive të djemve të Lahim Vargut. Gjurmët janë të njëjta me ato të shfaqura pak muaj më parë në një zonë të komunës Synej të Kavajës, edhe ato të formuara si rezultat i një tërmeti. Këtu, pak ditë pas tërmetit kodra u zhvendos, duke fundosur e thyer në mes më shumë se 10 shtëpi banimi. Sipas shpjegimit të specialistit përkatës, uji i shirave, pasi kishte depërtuar në këto të çara, kishte shkaktuar rrëshqitjen e kodrës. Nuk është çudi që katastrofa të përsëritet edhe në këtë lagje të fshatit Çerenec. Kjo edhe për faktin se duket në këtë pikë të gjithë zonës ku janë raportuar dëme, tërmeti ka dhënë goditjet më të forta. “Siç e shikoni shtëpia është e re, me kolona të forta betoni dhe me soleta të derdhura. Por tërmeti sërish e ka dëmtuar. Isha jashtë duke fjetur te shtëpia e djalit tjetër kur ra tërmeti. Se vuaj nga mushkëritë. Lëkundjet ishin aq të forta, saqë një çast mu duk sikur u bashkuan dy shtëpitë që janë më shumë se 100 metër larg. Dëgjoja bum-bum, sikur të ishin të shtëna topi”, rrëfen 70-vjeçari Lahim, duke shtuar se edhe tërmeti i 1967-ës ka qenë njëlloj i fortë dhe i frikshëm. Që forca e tërmetit ka qenë më e fortë në këtë kodër, këtë e vërteton katërçipërisht edhe pamja e ish-banesës së 54-vjeçares Hazbie Lika. Godinës njëkatëshe duket sikur i kanë rënë bombat. Tjegullat e rënda të çatisë janë shkëputur, duke rënë poshtë e çarë dhunshëm tavanet prej kallami. “Ka 13 vjet që e kemi ndërtuar. Burri me duart e veta e bëri shtëpinë pasi blemë tokën. Më ka dalë shpirti edhe mua duke përzier baltën për të bërë tullat, apo plitat me të cilat e ngritëm. Më vonë burri vdiq nga hidhërimi për humbjen e vajzës sonë të madhe. Kemi jetuar si mos më keq. Edhe kjo na duhej. Po flemë jashtë. Nuk na sollën të paktën një çadër. Andej poshtë, te komuna na thanë se është shpërndarë vaj, si ndihmë. Por unë nuk dua vaj or bir, dua shtëpinë”, e përmbyll gjithë çka në shpirt gruaja 54-vjeçare.
“Tërmeti tundi malet, por jo zemrat tona”. Ky është slogani që kujtohet nga tërmeti i fundit i madh i kohës së komunizmit. Atij që vrau njerëz dhe rrafshoi shumë ndërtesa në zonën e Shkodrës, të cilat shteti komunist i ngriti nga e para, fringo të reja, me tulla e tjegulla të kuqe. Natyrisht që tërmeti që po mundon banorët e tre komunave të Peshkopisë nuk është i ngjashëm me atë të fundviteve ’80 në Shkodër. Por dy ditë më pas, dy net më pas, të kaluara pa çati mbi kohë, tërmeti duket se veç maleve ka tundur edhe zemrat, apo shpresën e të dëmtuarve për një ndihmë edhe më të shpejtë nga shteti.

Tërmeti, 30 të burgosur me shtëpi në zonat e dëmtuara

BURREL/ HASAN PASHA

Tërmeti i së dielës nuk ka kursyer dhe 200 të burgosurit e Burrelit. Tronditjet janë ndjerë dhe në dhomat e sigurisë së lartë, ku vuajnë dënimin dhjetëra persona të akuzuar për krime të rënda, një pjesë e mirë atë të përjetshmin. Ndërtesa njëkatëshe e burgut duket se ka zbutur disi intensitetin, i cili vetëm pak km larg ishte regjistruar 7.2 ballë. Burime nga burgu i Burrelit thonë se të paktën 30 të dënuar janë me origjinë nga zonat e dëmtuara prej tërmetit të 6 shtatorit. Të trembur, sapo ka gdhirë dita e hënë, ata janë interesuar për njerëzit e afërm, nëse ishin mirë, a kishin pësuar dëme dhe cilat ishin ato. Burime nga ky burg i sigurisë së lartë pohojnë se “fatmirësisht nuk pati viktima në njerëz dhe nuk është dashur të japim leje për të lëvizur nga burgu në drejtim të vendlindjes”. Sapo kanë mësuar se në fshatrat dhe komunat e tyre ka pasur dëme materiale, të dënuarit kanë kontaktuar direkt me ta. “U kemi krijuar të gjitha lehtësitë e mundshme që të dënuarit të komunikojnë nëpërmjet telefonit me familjarët e tyre. Madje është toleruar që ata të flasin dhe më dendur, në mënyrë që të kenë mundësi të mësojnë gjithçka rreth fatit të banorëve të prekur nga tërmeti i rëndë”, sqaruan drejtues të këtij institucioni. Një numër jo i pakët i të dënuarve të burgut të Burrelit janë banorë të komunave Gjoricë, Shupenzë, Zerqan, Ostren, Trebisht, etj. Fakti që burgu është njëkatësh dhe lëkundjet në qytetin e Burrelit kanë qenë më të pakta se ato në Bulqizë e Dibër, nuk kanë sjellë ndonjë shqetësim të madh për të burgosurit e këtushëm. Ndërkohë mësohet se nuk ka pasur lëvizje të së dënuarve nga dhomat e tyre të izolimit. Gjatë ditës së djeshme, rreth 200 të dënuarit nuk i kanë shqitur sytë nga mediat, duke mësuar më shumë rreth fatit të njerëzve të tyre të afërm. “Drejtoria e burgut ka toleruar dhe do të tolerojë dhe në vazhdim mundësinë që të dënuarit të flasin më shpesh dhe me gjatë me familjarët e dëmtuar nga lëkundjet e forta të tërmetit tre ditëve më parë”, garantohet nga institucioni i edukimit. Burgu i Sigurisë së Lartë në Burrel ka të izoluar në qelitë e tij dhjetëra persona të dënuar me burg të përjetshëm apo dënime të tjera të konsiderueshme. Rreth 1 vit e gjysmë më parë, dy prej tyre u arratisën, për t’u kapur brenda pak minutash jashtë rrethimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›