Vlorë, ndërtimorët përplasje me pronarët për prishjen e lokalit
VLORE - Forca të shumta të policisë kanë mbështetur ato të ndërtimores gjatë aksionit të djeshëm për prishjen e një lokali pranë zonës së Ujit të Ftohtë. Për prishjen e lokalit-restorant që ndodhet përballë Plazhit të Ri, është marrë një vendim i Bashkisë së Vlorës, me qëllim ndërtimin e një pallati, leja e të cilit është zbardhur prej muajsh. Por, aksioni është përcjellë në tension mes forcave në aksion dhe pronarëve e punonjësve të lokalit. Sipas pronares, lokalin prej dërrase, të ndërtuar në mënyrë moderne, e ka ngritur në tokën e përfituar nga ligji 7501. "Kam vepruar në bazë të ligjit dhe jo si persona të tjerë që kanë nxjerrë dokumente false se toka është pronë e tyre", janë shprehur pronarët. Në momentin kur fadroma i është drejtuar lokalit, asnjë objekt nuk ishte nxjerrë prej tij, duke e bërë akoma më të madhe vlerën e dëmit. Përfaqësues të Policisë Ndërtimore janë shprehur se kanë njoftuar pronarin e lokalit disa herë dhe para 15 ditësh për prishjen e lokalit, por sipas tyre ai nuk e ka zbatuar këtë urdhër dhe të nxjerrë në mënyrë vullnetare pajisjet. Pronari i lokalit ka theksuar se ai do të ndjekë në rrugë gjyqësore këtë çështje, pasi tokën e ka në pronësi të tij, për të kërkuar dhe dëmshpërblimin. q.b