Tenderi i uniformave, deportohet nga Bullgaria biznesmeni
Biznesmeni Ilir Sulo, i cili akuzohet për mitëdhënie, është deportuar dje në orët e para të mëngjesit nga Bullgaria. 37-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare, ndërsa të dhënat e tij janë publikuar në faqen zyrtare të Interpolit. Sulo u lirua nga Gjykata e Apelit e Tiranës, e cila vendosi për të masën “arrest shtëpie”. Sipas burimeve nga policia, biznesmeni është pritur nga disa oficerë të Policisë Gjyqësore në Rinas, të cilët i kanë komunikuar masën e arrestit, ndërsa më pas është shoqëruar për në banesën e tij. Sipas akuzës, skandali për tenderin e Ministrisë së Brendshme për blerjen e uniformave është zbuluar nga përgjimi dhe vëzhgimi. Ka rezultuar se një nga zyrtarët e akuzuar, shef në Gardë, ka marrë një çantë me para nga një biznesmen i një shoqërie të njohur pjesëmarrëse në tender. Ilir Sulo, në marrëveshje me tre biznesmenët, Agur Sadiku, Jani Gjergjefi dhe Artan Berberi, ka paguar shumën e majme, me qëllim që kompanitë e tyre të shpalleshin fituese të tenderit dhjetëra milionësh. Akuza deklaron se shkëmbimi i parave është bërë në bulevardin “Zogu I”, në Tiranë.
#