Komuna kërkonte prej tre vjetësh hetimin e aferës
Burime informacioni nga Komuna e çarshovës bënë të ditur se historia ka nisur qysh në vitin 2001. Me vendim gjykate, ish-pronarët Vera dhe Zenel çaçi kanë nisur gjyqin për të përfituar pjesën e ish-pronësisë së tyre mbi 1400 ha pyll lisi në territorin midis fshatrave Biuvizhdë dhe Zhepë të kësaj komune. Mirëpo, në fakt ish-pronarët sipas hetimeve kanë paraqitur dokumentacion fals dhe në vend të 1400 ha, kanë hipotekuar 2300 ha. Njoftimin për këtë sipërfaqe të shtuar dhe të përfituar padrejtësisht nga ish-pronarët, Zyra e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Qarkun Gjirokastër e ka dërguar në zyrat e Komunës së çarshovës pas 4 muajsh, duke qenë se ligjërisht duhej që njoftimi të jepej brenda një muaji. Kjo vonesë ka bërë që “të digjet” afati ligjor i ankimimit nga komuna dhe vetë komuniteti i banorëve të zonës së prekur nga ky abuzim.
Burimet e administratës së komunës bëjnë të ditur gjithashtu se në këshillin e komunës është debatuar gjatë për këtë abuzim. Mandej, sipas këtyre burimeve, me këmbënguljen e banorëve gjatë një periudhe 3-vjeçare, problemi u është bërë prezent të gjitha instancave, duke filluar nga strukturat e Krimit Ekonomik, Avokati i Shtetit, Avokati i Popullit, Zyra e Antikorrupsionit në Kryeministri, vetë Kryeministri dhe Presidenti i Republikës, mirëpo deri në mars të këtij viti, nuk kishte gjetur zgjidhje.
Shkak për rihapjen e “dosjes” është bërë prerja dhe rrafshimi i këtij pylli për djegien e drurit të lisave të tij në kaminat e prodhimit të qymyr-drurit dhe eksportimi i këtij produkti në Greqi në fillim të këtij viti. Një pjesë e konsiderueshme e pyllit të lisave që ndodhet mes fshatrave Biuvizhdë dhe Zhepë në afërsi të pikës së kalimit të Tri Urave në çarshovë, në fakt është prerë dhe djegur në kaminat e qymyr-drurit vit pas viti që nga viti 2006, por vetëm pas denoncimeve të përsëritura të komunitetit të banorëve dhe administratës së Komunës së çarshovës strukturat përkatëse të ligjit kanë reaguar dhe në 10 mars të këtij viti, Gjykata e Apelit në Gjirokastër ka vendosur për sekuestrimin e kësaj pasurie deri në verifikimin e plotë të mënyrës së përvetësimit të saj. Hetimet e strukturave të krimit ekonomik dhe sidomos të Task-Forcës antikorrupsion të qeverisë kanë vazhduar duke zbardhur hap pas hapi gjithë ecurinë e këtij abuzimi.