E Diel, 1 Nëntor 2026

Një 12-vjeçar, që ka banuar në qendrën “Fëmijët e tij”, tregon abuzimet dhe torturat

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
“Jani dhe Dino me qëllonin me pinca, thika dhe pirunë”, - ka deklaruar para togave të zeza përmes një videokonference një 12-vjeçar, i cili ka jetuar për disa kohë në qendrën “Fëmijët e tij”. I mituri ka deklaruar në gjykatë se në kohën që është keqtrajtuar ishte vetëm nëntë vjeç. Pasi është njohur me këtë pjesë të dëshmisë, gjyqtarja e dosjes është detyruar të shtyjë seancën për shkak të gjendjes së rendë psikologjike në të cilën është gjendur 12-vjeçari me të cilin dyshohet se është abuzuar seksualisht.
Seanca
Një 12-vjeçar, i cili dyshohet të jetë abuzuar seksualisht para tre viteve në qendrën “Fëmijët e tij”, në kryeqytet ka dëshmuar përmes një videokonference para gjykatës së Tiranës kundër dy të pandehurve, Robin Arnold dhe Dino Kristodulu, të dy shtetas britanikë. Përveç dy të pandehurve që ndodhen në qeli, i mituri ka akuzuar edhe ish-kuzhinierin e qendrës bamirëse, Janaq Paleka, që sipas tij, e dhunonte fizikisht dhe e godiste shpesh me sende të forta. Burime nga gjykata bëjnë të ditur se ish-punonjësi Papleka ka fituar lirinë pak muaj më parë, në një proces paralel që po zhvillohet për skandalin seksual. Ai akuzohej për moskallëzim krimi dhe fshehje të së vërtetës.
Dëshmia
“Jani dhe Dino më qëllonin me pinca, thika dhe pirunë, - tha i përlotur i mituri, i cili gjatë kohës kur keqtrajtohej ishte vetëm nëntë vjeç. Pas këtyre deklarimeve, gjyqtarja Shefkie Demiraj ka kërkuar ndërprerjen e seancës, pasi i mituri nuk mund të rrëfehej me tej për shkak të gjendjes depresive dhe frikës që shfaqi. Fëmija është personi i parë që sjell dëshminë ndaj dy anglezëve të akuzuar për kryerje të marrëdhënieve seksuale me të mitur. Ndërkohë, çështja gjyqësore ndaj ish-administratorit të qendrës bamirëse “Fëmijët e tij”, Xhon Devid Braun, po shkon drejt fundit. I pandehuri Braun është përballur me dëshmi të shumta, jo vetëm të fëmijëve të abuzuar, por edhe të familjarëve të tyre që i kishin besuar fëmijët atij.
Arrestimi
Braun, i arrestuar në maj të vitit 2006, akuzohet të ketë abuzuar seksualisht me dy prej të miturve që kishte strehuar në ambientet e shoqatës së tij, ndërsa dy miqtë e tij, greko-anglezi Dino Kristodulo dhe skocezi Robin Xhejms Arnold u ekstraduan nga Londra. Pas këtyre dëshmive pritet që gjykata t i zhvillojë seancat me dyer të hapura, pasi tashmë ka përfunduar shqyrtimi i provave në të cilat duhet të ruhet privacia e të miturve. Anglezi 52-vjeçar po gjykohet i vetëm në Gjykatën e Tiranës, pasi dosja fillestare në ngarkim të tij është ndarë në tri pjesë. Në të parën po gjykohet Janaq Papaleka, 33-vjeçari nga Erseka, ish-kuzhinier i fondacionit, i akuzuar për “moskallëzim krimi”. Ky person ka pranuar faktin se kishte dijeni se në mjediset e fondacionit bamirës “Fëmijët e tij” kryheshin abuzime seksuale me fëmijët që ishin strehuar aty, por që nuk kishte denoncuar. Ndërsa në një tjetër proces, i cili tashmë është i pezulluar, do të gjykohen dy bashkëpunëtorët e Braunit, greko-anglezi Dino Kristodulo dhe skocezi Robin Xhejms Arnold. Tashmë pritet vendimi i Apelit për ta. Braun u arrestua më 16 maj të vitit 2006 pas një kallëzimi penal të depozituar në Prokurorinë e kryeqytetit nga shtetasja holandeze Jakoba Diken. Sipas Prokurorisë, Braun ka ardhur për herë të parë në Shqipëri në vitin 1999 dhe ishte prekur nga varfëria e fëmijëve romë, ndërsa dy vjet më vonë do të krijonte fondacionin “Fëmijët e tij” për t u ardhur në ndihmë këtyre fëmijëve.

Dëshmitarja: “David Braun flinte me dy fëmijë
"David Braun flinte me dy të mitur në dhomë dhe njërin prej tyre e mbante në krevatin e tij",- kishte thënë përpara hetuesve anglezë, Nataniel Luis David, ish-punonjëse vullnetare në qendrën e drejtuar nga 51-vjeçari. Gruaja kishte përshkruar në dëshminë e saj edhe sjelljet e tij me fëmijët e tjerë. Ajo kishte përmendur emrat e disa prej fëmijëve të abuzuar, si dhe problemet që ata kishin pasur si pasojë e këtyre abuzimeve. Edhe dëshmia e dytë që u lexua, ajo e Suzan Pikap, rikonfirmoi se Braun flinte në një dhomë me dy fëmijë, njëri 6 dhe tjetri 7 vjeç. Ajo kishte thënë përpara hetuesve se gjatë kohës që kishin vërejtur këto gjëra, ajo, por edhe punonjëse të tjera të qendrës i kishin tërhequr vëmendjen David Braunit dhe Robin Arnoldit, por asgjë nuk kishte ndryshuar dhe ata kishin vazhduar të abuzonin me fëmijët. Dëshmitarja në deklarimet e saj kishte shpjeguar gjithashtu mënyrën se si merreshin fëmijët në qendër dhe si funksiononte ajo. Sipas Pikap, fëmijët merreshin nga rruga dhe kryesisht ishin jetimë ose nga familje shumë të varfra. Në të njëjtën kohë dëshmitarja kishte thënë se Braun kishte investuar gjithçka personale që kishte për ndërtimin e qendrës. Ai kishte shitur çdo gjë të vetën që kishte pasur në Angli, për të investuar në qendrën "Fëmijët e tij".
Ky lajm është publikuar: 24/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›