E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aksidentoi me vdekje 42-vjeçarin, vetëdorëzohet pas dy orësh autori

30/04/2005  ELBASAN - Vetëdorëzohet pas dy orësh autori i aksidentit fatal që i mori jetën një 42-vjeçari, roje në një lavazh në qytetin e Elbasanit. Pasi është larguar nga vendi i ngjarjes, Petrit Bengu, 43 vjeç, lindur në Kolonjë dhe banues në Elbasan, është identifikuar dhe shpallur në kërkim.

Burime nga policia bëjnë të ditur se ky shtetas, drejtues i mjetit tip “Volksvagen”, me targa ER 0388 A, ka aksidentuar me pasojë vdekjen shtetasin Bedri Sala, 42 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Vullnetari” të qytetit të Elbasanit. Pas aksidentit, drejtuesi i mjetit është larguar nga vendi i ngjarjes, por nuk ka mundur t’i shpëtojë policisë pas dëshmive të marra nga njerëzit që kishin parë llojin e mjetit të aksidentit. Duke përfituar nga momentet e para të errësirës, drejtuesi i mjetit ka mundur të largohet, por pas një orë kërkimesh ai është vetëdorëzuar. Aksidenti fatal i ka kushtuar jetën 42-vjeçarit, roje në një lavazh përgjatë autostradës Elbasan-Metalurgjik, ndërsa nuk dihen ende rrethanat e këtij aksidenti.

Vetëm gjatë javës së kaluar në qytetin e Elbasanit, janë regjistruar dy aksidente me 3 të vdekur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›