E Hënë, 2 Nëntor 2026

CRCA: 50 mijë fëmijë braktisin shkollën

30/04/2005  Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve deklaron se, mbi 50 mijë fëmijë në të gjithë vendin kanë braktisur shkollën për të punuar, për të ndihmuar ekonomikisht familjet e tyre. Kjo ishte java globale “Arsimim për të gjithë” nën moton “Arsimo për t’i dhënë fund varfërisë”. “Arsimi është një nga mjetet më të mira dhe më pak të kushtueshme për t’i dhënë fund varfërisë”, thotë drejtori i CRCA-së, Altin Azizaj. Për këtë qëllim, pesë organizata jo qeveritare, CRCA, Qendra e Informacionit dhe Kërkimeve për të drejtat e fëmijëve, IRCCRA, World Vision-Albania, Aleanca Kombëtare për Fëmijët dhe Komiteti Ndërkombëtar për Zhvillimin e Popujve, CISP janë bashkuar për t’i bërë thirrje Presidentit të Republikës, Qeverisë dhe gjithë politikanëve, që të bëjnë më shumë për arsimimin e fëmijëve dhe kthimin e tyre në shkollë.

Letra Presidentit dhe Kryeministrit

Gjatë këtyre dy javëve, 2000 fëmijë nga Kruja, Laçi dhe Fushë-Kruja shkruan letra drejtuar Presidentit dhe Kryeministrit për të kërkuar mbështetje për integrimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkollë. Janë dy mënyra për arsimin e këtyre fëmijëve, vendosja e mësuesve të specializuar për ta në shkolla publike dhe hapja e shkollave të posaçme për ata. Në vendin tonë ka mbi 44 mijë fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara dhe qindra prej tyre nuk ka vazhduar as arsimin e detyruar.

Telefon falas për fëmijët

CRCA hapi linjën e parë profesionale të telefonit të Ndihmës për Fëmijë. Ky telefon do të funksionojë zyrtarisht në fillim të muajit maj 2005. Ai do të funksionojë 24 orë në dispozicion të fëmijëve, me punën e një grupi profesionistësh si mjekë pediater, avokatë, psikologë dhe punonjës socialë, të cilët do të jenë çdo ditë në shërbim të fëmijëve që do të vizitojnë qendrën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›