Qeveria mbulon shpenzimet shëndetësore për ushtarakët
30/04/2005 Qeveria ka miratuar kriteret dhe masën e mbulimit financiar të kujdesit shëndetësor për ushtarakun e Forcave të Armatosura. Vendimi parashikon kriteret dhe masën e përfitimit shëndetësor për ushtarakët e shërbimit aktiv të Forcave të Armatosura, të atyre në rezervë, në lirim apo në pension, si dhe pjesëtarëve të familjes në ngarkim të tyre. Përshkallëzimi i përfitimit shëndetësor shtrihet nga 100 për qind deri në masën 50 për qind mbi bazën e kritereve të përcaktuara. Efektet financiare vjetore të parashikuara për zbatimin e këtij vendimi janë 25 000 000 lekë, i cili përballohet nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, i akorduar për këtë qëllim. Drafti i miratuar është në kuadër të përafrimit të legjislacionit mbi ushtrinë shqiptare me atë të NATO-s. Vetëm pak muaj më parë është miratuar dhe ligji për ndihmën ndaj forcave ushtarake, në rast të vendosjes në rrethe të tjera nga ai i vendbanimit.