E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në gusht nis strehimi publik

30/04/2005  Miratohet ligji për blerjen e apartamenteve, ku do të strehohen familjet në nevojë

Këshilli i Bashkisë do të vendosë për çmimet dhe familjet që përfitojnë

Qeveria ka miratuar dje procedurat e blerjes së apartamenteve, të cilat do të përdoren për strehimin e familjeve në nevojë. Sipas projektligjit, që do të paraqitet për votim në Kuvend, "brenda muajit gusht të çdo viti me vendim të këshillit bashkiak do të miratohen kosto e ndërtimit të pallateve, apartamentet e shitblerjeve tip në tregun e lirë". Ndërsa në bazë të kërkesave, që do të ketë në çdo bashki, për strehim do të vendoset në bazë të kërkesave që do të paraqiten prej familjeve dhe mundësive që ka një bashki në buxhetin e saj. Megjithatë, është parashikuar që të krijohen mundësitë që apartamentet publike të blihen me çmime sa më të lira.

Blerja

"Vlera mesatare për m2 të sipërfaqes së ndërtimit e banesave në treg në një bashki të jetë më e vogël se kostoja e ndërtimit të një banese në sektorin publik", thuhet në vendimin e qeverisë. Për këtë çështje është sqaruar se kushti do të jetë që vlera e blerjes të jetë më e vogël, ose e barabartë me koston e ndërtimit në sektorin publik. Megjithatë, banesa që blihet në treg duhet të plotësojë standardet sipas normave të projektimit në fuqi për hidroizolimin, termoizolimin, ndriçimin, ajrimin, lagështinë, lartësinë dhe elementët e planimetrisë tip. Në rast se inspektorët e licensuar do të shohin se një nga kushtet mungojnë, nuk do të lejohet privatizimi, apo blerja e apartamentit. Ndërsa për banesat sociale me qira, që do të përdoren për të strehuar familje, në përbërje të së cilës është një person me aftësi të kufizuara, duhet të përshtaten nga enti menaxhues për krijimin e lehtësirave për lëvizjen, komunikimin dhe shmangien e pengesave arkitektonike. Gjithashtu është sanksionuar që banesa në momentin kur blihet nga bashkitë duhet të jetë e lirë nga barra hipotekore, për të mos sjellë konflikt mes qiramarrësve dhe personave të tjerë.

Aplikimet

Në çdo vit këshilli i Bashkisë duhet të shqyrtojë numrin e kërkesave të paraqitura nga familjet për strehimin. Sipas ligjit, përparësi do të kenë familjet me të ardhura të vogla si dhe ato që kanë persona me aftësi të kufizuara në përbërje. Të preferuarit do të jenë dhe familjet e reja, të cilat do të stimulohen për të krijuar baza sa më të forta. Pas shqyrtimit të kërkesave, këshilli bashkiak do të vendosë për numrin e apartamenteve që do të blihen dhe se cilat familje do të strehohen. Në rast se do të konstatohet që një familje ka manipuluar të dhënat, këshilli bashkiak do të vendosë skualifikimin. Ndërsa në rast se buxheti i akorduar nuk do të mjaftojë për të përballuar fluksin e kërkesave, familjet e mbetura pa ndihmë do të shqyrtohen me buxhetin e vitit pasardhës. Vlera e qirasë do të jetë më e reduktuar nga ajo e tregut. Madje për këtë do të shikohen mundësitë që ka një familje për t'i përballuar ato. Megjithatë, çdo gjë do të vendoset vetëm pasi drafti të miratohet nga parlamenti.

Aplikantët do të deklarojnë të ardhurat dhe përbërjen familjare

Bashkia Tiranë ndan formularët për strehimin e familjeve në nevojë

Bashkia e Tiranës do të nisë shpërndarjen e formularëve që do të plotësojnë familjet në nevojë, për të përfituar strehim nga apartamentet publike. Në formular, kryefamiljari duhet të paraqesë të dhënat e tij, si dhe të përbërjes familjare. Më pas duhet të deklarohet nëse aplikanti zotëron një banesë, apo objekt tjetër, që mund të përdoret për banim. Në rast se ai ka një objekt të tillë duhet të deklarohet dhe se sa janë hapësirat në të. Një tjetër e dhënë duhet të jetë nëse një pjesëtar i familjes ka përfituar prej ligjit të privatizimit të apartamenteve shtetërore të miratuar në vitin 1992. Në pikën e katër të formularit të paraqitur prej Bashkisë Tiranë do të vendosen të ardhurat që mund të ketë familja. Në të do të paraqiten të dhënat dhe për të ardhurat nga emigracioni. Në përfundim është paraqitur mënyra e kërkesës që do të plotësohet për të kërkuar strehim në ambientet publike. Ndërsa pika mbyllëse do të jetë kërkesa e veçantë për statusin e njërit prej anëtarëve të familjës që kërkon strehim. Formulari është ndërtuar në bazë të ligjit të miratuar vetëm pak muaj më parë mbi strehimin e familjeve në nevojë. Iniciativa e Bashkisë së Tiranës është e para për sa i përket Pushtetit Vendor. Ndërsa është bërë e ditur se shumë shpejt do të bëhet i ditur dhe buxheti që do të japë bashkia për strehimin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›