E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në pranga dy shpërndarës, në kërkim katër të tjerë

30/04/2005  Zbulohet një rrjet i shpërndarjes së heroinës në Elbasan

ELBASAN - Zbulohet një rrjet i shpërndarjes së heroinës në qytetin e Elbasanit. Pas disa informacioneve të mbledhura në rrugë operative, efektivat e sektorit të antidrogës kanë vepruar me shpejtësi, duke prerë fijet e një rrjeti shpërndarësish, që dyshohet se “administronte” të gjithë qytetin e Elbasanit.

Mësohet nga burime ende të pakonfirmuara se Olger Garunja, 22 vjeç, banues në Elbasan dhe Blerim Loshi, 21 vjeç, janë të ndaluarit e parë të këtij aksioni, i cili deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme ka qenë ende në vazhdim.

Në xhepat e dy shpërndarësve janë gjetur 10 gramë heroinë dhe 50 doza gati për treg.

Sasia e drogës së gjetur është sekuestruar tashmë, ndërsa dy të rinjtë janë ndaluar dhe po merren në pyetje nga efektivat e sektorit të antidrogës për të zbardhur të tjerë të përfshirë. Ndërkohë mësohet se ka ende emra të tjerë, të cilët furnizojnë me heroinë të gjitha shkollat e mesme dhe përdoruesit e tjerë të heroinës.

Burime konfidenciale bëjnë të ditur se janë edhe 4 të rinj të tjerë, që janë shoqëruar në komisariatin e Elbasanit, si të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike dhe si pjesëmarrës në rrjetin e heroinës.

Baza e këtij rrjeti niste nga një apartament në lagjen “28 Nëntori” të qytetit të Elbasanit në afërsi të vendit të quajtur Zaranika, dhe përfundonte në kontrollin e të gjitha shkollave dhe vendeve të tjera, ku bëhej shpërndarja e drogës. Shpërndarja zhvendosej nga baza e veçuar në periferi të qytetit në drejtim të qendrës.

Dy të rinjtë e arrestuar në flagrancë janë ndjekur nga policia prej disa kohësh, deri në momentin kur të disponoheshin prova të mjaftueshme për ndalimin e tyre. Po kështu edhe personat e tjerë të përfshirë në këtë rrjet janë ndjekur nga policia dhe janë të identifikuar.

Goditja e këtij grupi të shpërndarjes së heroinës ishte i studiuar dhe vjen pas një periudhe heshtjeje nga sektori i antidrogës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›