E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentoi me vdekje kalimtarin, vetëdorëzohet shoferi

Tepelenë Drejtuesi i një automjeti është vetëdorëzuar në policinë lokale në Gjirokastër, pasi kishte aksidentuar për vdekje një kalimtar dhe menjëherë pas ngjarjes kishte braktisur automjetin në mes të rrugës. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, 24-vjeçari Eneid Haxhia nga Tepelena, është vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë në Tepelenë disa orë pasi me automjetin që drejtonte kishte aksidentuar për vdekje një kalimtar dhe më pas braktisi mjetin duke u larguar nga vendngjarja. Aksidenti është regjistruar orët e vona të ditës së shtunë, në rrugën kombëtare Tepelenë-Gjirokastër, në vendin e quajtur “Ura e Leklit”. 24-vjeçari Haxhia, ndërsa udhëtonte nga Gjirokastra në drejtim të Tepelenës, me automjetin tip “Benz Elegance”, me targa italiane, BN 877 LN, të cilin ia kishte marrë një të afërmi të tij, pranë “Urës së Leklit” ka aksidentuar 56- vjeçarin Flamur Hajdini nga Përmeti, i cili po tentonte të kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Sipas grupit hetimor, kalimtari porsa kishte zbritur nga një automjet në krahun e sipërm të rrugës, ka tentuar të kalojë në anën tjetër për të gjetur ndonjë makinë të rastit, për të udhëtuar në drejtim të Përmetit. Si shkak i goditjes së automjetit, 56-vjeçari Hajdini ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Drejtuesi i automjetit, nga frika ka braktisur makinën në vendngjarje dhe është larguar, por rreth orës 23:30 të së shtunës është vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë Gjirokastër. Sipas grupit hetimor, shkaku i këtij aksidenti me pasojë vdekje është shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtuesit të automjetit, pasi ka udhëtuar me shpejtësi tej normave të lejuara . Pas ndalimit nga policia lokale, mbi drejtuesin e mjetit rëndon akuza për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. B.SH.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›