E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentoi nënë e bijë, mbetet në burg shoferi

Masa


TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, vendosi të lërë në qeli me masën e sigurisë "arrest me burg" shtetasin Roland Valea i cili akuzohet si shkaktari i aksidentin që solli gjymtimin e një vajze 10 vjeçare tre ditë më parë, ndërsa, për aksidentuesin tjetër Klodian Haxhiu, gjykata vendosi të lërë me masën "detyrim për paraqitje".


Sipas vendimit të gjykatës, kjo ka qenë edhe kërkesa e prokurorit të çështjes, që akuzoi të arrestuarin Valea si personin që me makinën e tij të tipit "Land Rover", ka humbur kontrollin dhe ka goditur makinën tip "Benz" të shtetasit Klodian Haxhiu, duke marrë zvarrë një kalimtare të rastit me inicialet A.XH. dhe vajzën e saj 10- vjeçare e cila si pasojë e këtij aksidenti ka humbur njërën këmbë.


Përplasja e dy makinave ka ndodhur pasditen e ditës së mërkurë në rrugën "Perlat Rexhepi" në kryeqytet, kur gruaja 45- vjeçare ka dalë bashkë me vajzën 10- vjeçare për të bërë xhiro.


Pas përplasjes nga makinat, kalimtarja është dërguar në Spital, ku vetë ajo ka shpëtuar vetëm me dëmtime në trup ndërsa vajza vogël ka humbur njërën këmbë. Të dy të pandehurit, do të hetohen për kryerjen e veprës penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor" më pasoja të rënda.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›