Ministria e Drejtësisë: Ish-i përndjekuri Dodë Veshtja, pjesë e listës së dytë të përfituesve
Pas deklarimeve në media të një ish-të dënuari politik se emri i tij nuk figuronte në listat e përfituesve të dëmshpërblimit, reagon Ministria e Drejtësisë. Gjatë një konference për shtyp për median, zëdhënësja për shtyp e këtij institucioni, Migena Demirxhi, kundërshtoi këto deklarime të shtetasit Dodë Veshtja, duke u shprehur se nuk është e vërtetë që ky shtetas nuk është në listën e personave që përfitojnë dëmshpërblim dhe se nuk e ka emrin fare, pasi në regjistrat e Ministrisë së Drejtësisë, emri i tij mban numrin 257. “Nuk është e vërtetë që aplikanti Dodë Veshtja endet zyrave të administratës shtetërore për njohjen e viteve të burgimit politik, që emri i tij nuk gjendet në listat e të përndjekurve politikë dhe që ai nuk e gjen veten në dosjet e të përndjekurve politikë dhe që qytetarët presin shkallëve të Ministrisë së Drejtësisë për të marrë përgjigje dhe për të plotësuar formularë”, - reagon institucioni i lartë i drejtësisë përmes një deklarate për shtyp. Sipas burimeve zyrtare të kësaj ministrie, kërkesa e ish-të dënuarit politik, Veshtja, është regjistruar rregullisht në regjistrat e Ministrisë së Drejtësisë dhe mban numrin 257. “Struktura përgjegjëse ka kryer të gjitha veprimet ligjore duke rakorduar informacionin me vetë ish-të dënuarin, me burimet arkivore të vetë ministrisë dhe me institucionet e tjera shtetërore, pjesë e këtij procesi”, - shprehet në reagimin e saj ministria, duke shtuar se “siç edhe z. Veshtja është njoftuar me shkrim “Njoftim për shqyrtimin në themel”, aplikimi i tij është i suksesshëm, sepse vepra penale e kryer prej tij dhe lloji i dënimit janë politike. Aplikimi i këtij qytetari pritet të plotësohet vetëm nga përgjigja konfirmuese, e detyrueshme sipas ligjit, e Arkivave të Shtetit. Kjo përgjigje është kërkesë procedurale e ligjit dhe sigurisht që do të jetë në përputhje me dokumentacionin tjetër të grumbulluar që e klasifikon këtë aplikim të suksesshëm”, - vijon reagimin zëdhënësja për shtyp, znj. Demirxhi. Më tej, në deklaratën e saj, Ministria e Drejtësisë sqaron se deri në datën 5 qershor të këtij viti janë regjistruar 18.954 kërkesa për dëmshpërblim financiar nga të përndjekurit politikë, prej të cilave 16.579 ishin regjistruar deri në datën 19 dhjetor 2008. Të gjitha këto kërkesa, sipas ministrisë, janë regjistruar rregullisht dhe janë aktivizuar menjëherë në përputhje me kërkesat ligjore. Sipas burimeve zyrtare, për çdo veprim të kryer për çdo kërkesë, çdo ish-i dënuar politik është njoftuar zyrtarisht me shkrim nga Ministria e Drejtësisë. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, komunikimi mes këtij institucioni dhe ish-të përndjekurve bazuar në ligj, është zhvilluar dhe vazhdon të zhvillohet me shkrim nëpërmjet shërbimit postar. Qytetarët paraqiten pranë Ministrisë së Drejtësisë fizikisht, thuhet në deklaratë, pasi ata zgjedhin vetë të marrin informacionin në një rrugë të tillë. “Pavarësisht njoftimit në kohë nëpërmjet shërbimit postar, Ministria e Drejtësisë është angazhuar maksimalisht që të sqarojë edhe çdo qytetar që paraqitet në zyrat e saj për të marrë informacion, si për aplikime konkrete, ashtu dhe informacion mbi mënyrën e përmbushjes së formularëve”, - thekson në deklaratën e saj znj. Demirxhi. Në përfundim të reagimit, Ministria e Drejtësisë dha edhe disa detaje mbi dy listat e bëra publike, duke shtuar se “përfiton nga rasti të kujtojë që me vendim të Këshillit të Ministrave, nr. 1699, datë 30.12.2008, është miratuar një listë prej 1.442 përfitues të dëmshpërblimit financiar. Këto ditë pritet të dërgohet pranë Këshillit të Ministrave për miratim një listë e dytë përfituesish prej 3000-4000, mes të cilës sigurisht që do të jetë edhe z. Dodë Veshtja”.
Mangësitë në dokumentacion
Ministria e Drejtësisë, në vijim të procesit për zbatimin me korrektësi të të gjitha hallkave procedurale që ia kërkon ligji “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, u ka dërguar aplikuesve njoftimet për plotësim dokumentesh, si dhe kërkesat për plotësim të formularit të vetëdeklarimit nëpërmjet Postës Shqiptare. Megjithatë, një pjesë të këtyre njoftimeve Posta Shqiptare i ka kthyer sërish në Ministrinë e Drejtësisë për shkak të vështirësive që ka hasur në gjetjen e adresave të personave që duhet të njoftohen. Nisur nga ky fakt, Ministria e Drejtësisë njofton të gjithë aplikuesit, që ende nuk kanë marrë në duar formularët e vetëdeklarimit, që mund t’i shkarkojnë ato nga Arkiva Elektronike e Çështjeve të Dëmshpërblimit të Ish-të Dënuarve Politikë, t’i plotësojnë, duke shënuar numrin e aplikimit (numri korrespondues i dosjes dhe shumë i rëndësishëm për t’u plotësuar), dhe më pas t’i dërgojnë ato nëpërmjet postës në Ministrinë e Drejtësisë.
Si do ta gjeni formularin
Pasi të hyni në faqen zyrtare online të Ministrisë së Drejtësisë www.justice.gov.al, duhet të klikoni tek Arkiva e Çështjeve të Dëmshpërblimit të Ish-të Dënuarve Politikë. Pasi të hyni në këtë faqe, klikoni tek rubrika “Formulari” dhe në krye do të gjeni Formularin e Vetëdeklarimit. Klikoni mbi të dhe printojeni siç është në dy pjesë. Plotësojini të dyja pjesët sipas rubrikave dhe mos harroni të shënoni mbi të numrin e aplikimit (numri korrespondues në dosje). Pas plotësimit dhe nënshkrimit, dërgojeni atë nëpërmjet postës, ashtu siç keni bërë më parë për dërgimin e aplikimit. Ministria e Drejtësisë, duke i falënderuar qytetarët për bashkëpunimin, përfiton nga rasti për t’i siguruar se do të ndjekë me korrektësi të gjitha hallkat procedurale që ia kërkon ligji “Për dëmshpërblimin e ish- të dënuarve politikë të regjimit komunist” si i vetmi mjet për të garantuar një proces të drejtë, nga i cili do të përfitojnë vetëm ata persona dhe familjet e tyre që janë ish-të dënuar politikë të regjimit komunist.