Miratohen fondet, PR-ja dhe PSD-ja, të favorizuara nga "Dushku"
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dje edhe formalisht ndarjen e fondeve publike për forcat politike që, në bazë të ligjit, u lind e drejta të përfitojnë financime nga Buxheti i Shtetit. Për shkak të qartësisë që ofron formula e përcaktuar në Kodin Zgjedhor dhe e detajuar në udhëzimin e nxjerrë prej KQZ-së, mbledhja e djeshme e këtij institucioni ka zgjatur fare pak, pasi forcat politike, pavarësisht rezervave për shumën që përfitonin, janë detyruar t'i pranojnë ato pa kundërshtuar.
Ndarja e fondit prej 65 milionë lekësh që buxheti i shtetit ka vënë në dispozicion, është bërë sipas formulës ku 50 % e shumës ndahet në bazë të numrit të mandateve që ka secila forcë politike e përfaqësuar në Kuvend dhe 50 % tjetër ndahet në bazë të numrit të votave që ka marrë secila prej forcave parlamentare që përfaqësohen në Kuvendin aktual me më shumë se një deputet.
Nga zbatimi i kësaj formule rezulton se nga 50 përqindëshi i parë që ndahet në bazë të mandateve favorizohen dy forcat e mëdha që kanë marrë dhe numrin më të madh të deputetëve në Kuvend, respektivisht PD-ja 56 mandate dhe PS-ja 42. Të gjitha forcave që u lind e drejta për të përfituar nga kjo pjesë, kanë përfituar edhe një pjesë të fondit që ka mbetur për shkak të mosregjistrimit më si subjekt zgjedhor të Partisë Demokrate e Re.
Duke bërë llogaritë për secilën prej tyre, rezulton se PD-ja merr më shumë lekë se gjithë forcat e tjera, plot 16.5 milionë lekë, ndiqet nga PS-ja me 13.6 milionë, PR-ja 10.6 milionë, PSD-ja me 6.8 milionë lekë, e kështu me radhë. Gjithashtu, gjatë mbledhjes së djeshme, KQZ-ja ka miratuar edhe vendimin për të blerë 5.000 mjete të posaçme votimi për të verbrit.