E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë ; Masat e policisë për ndeshjen Shqipëri-Portugali



Policia e Tiranës ka marrë disa masa për mbarëvajtjen e zhvillimit normal të ndeshjes Shqipëri-Portugali. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, duke e vlerësuar si mjaft të rëndësishme zhvillimin e kësaj ndeshjeje, synon me anë të këtyre masave që të sigurojë rendin dhe qetësinë, para, gjatë dhe pas përfundimit të këtij aktiviteti sportiv. Kështu masat e marra nga blutë e kryeqytetit do të jenë konkretisht: do të ndalohet parkimi i të gjitha automjeteve përreth stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, sheshit “Italia”, sheshit “Nënë Tereza”, duke filluar nga ora 08:00 e ditës së sotme deri në përfundim të këtij aktiviteti. Po ashtu, nga ora 14:00 deri në përfundim të ndeshjes, të datës 06.06.2009, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në rrugët që të dërgojnë në stadium, ashtu dhe përreth tij, si në rrugën “Lekë Dukagjini” dhe “Dervish Hima” në kryqëzimin me rrugën “Asim Zeneli”.

Ndërkohë, gjatë hyrjes së sportdashësve në stadium, nga ana e policisë do të ushtrohet kontroll i imtësishëm në drejtim të parandalimit të futjes në stadium nga tifozët, të sendeve të ndaluara, si mjete e sende të forta, fishekzjarrë, shishe të ndryshme, kapsolla, flamuj me shkopinj, parulla me mbishkrime jo të përshtatshme. Policia e Tiranës, duke kërkuar dhe njëherë mirëkuptimin e publikut, iu kujton sportdashësve dhe pjesëmarrësve në këtë aktivitet, respektimin me rigorozitet të rregullave të vendosura dhe kodit të sjelljes si para, gjatë dhe pas përfundimit të aktivitetit sportiv.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›