E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrabanda; Arrestohen tre persona, në hetim dy punonjës të doganës në Rinas



Bashkëpunimi me dy punonjës të doganës në Rinas u kishte dhënë mundësinë tre tregtarëve që të sillnin në Shqipëri veshje të shumta dhe t’i kalonin ato pa paguar taksat. Megjithatë, pas një hetimi tremujor të organizuar nga ana e Seksionit Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar u arrit që të zbulohej kjo skemë dhe të nisnin hetimet në lidhje me personat e përfshirë në të. Në prangat e uniformave blu ranë shtetasit Albert Daçi, 35 vjeç, lindur në Burrel dhe banues Tiranë, Dedë Gjonaj, 52 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Rrëshen dhe Sinan Doku, 59 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i proceduar po nga ky seksion, për veprën penale të “tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë”. Ndërkohë që, sipas policisë, ndaj dy punonjësve të turnit të doganës në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas nisi procedimi penal në gjendje të lirë, pasi akuzohen për “shpërdorim detyre”. Pas marrjes së informacioneve në lidhje me veprimtarinë e tregtarëve të arrestuar dhe punonjësve të doganës, nisën hetimet në lidhje me këtë ngjarje. Pas grumbullimit të informacioneve të nevojshme, u realizua operacioni “Blu Xhins”, i cili çoi në arrestimin në flagrancë të tre personave.

Sipas burimeve nga policia, ata ishin duke lëvizur me makinat e tyre para dy ditësh në mbikalimin në Qafë-Kashar. Policia u bëri shenjë të ndalonin dhe më pas ka nisur kontrollin në automjetin tyre. Pas kontrollit të imtësishëm të ushtruar në automjetet e tyre u gjendën të ngarkuara mallra të dyshuara se mund të kenë hyrë kontrabandë, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Rinas. Agjentët gjetën të ngarkuara një sërë veshjesh të ndryshme. Kështu në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 500 palë xhinse, 500 copë bluza, 400 copë fustane, 60 copë kostume femrash si dhe 20 copë xhaketa, të gjitha këto të llojeve të ndryshme. Sipas burimeve nga policia, mallrat e sekuestruara vinin nëpërmjet Aeroportit të Rinasit nga Turqia, dhe kishin si pikëmbërritje tregun industrial në rrugën “5 Maji” në kryeqytet.

Ndërkohë që pas marrjes në pyetje të tyre u arrit që të zbuloheshin edhe “bashkëpunëtorët” në doganën e aeroportit të Rinasit. Ata ishin dy prej punonjësve të turnit, të cilët u pezulluan dhe ndaj tyre nisi hetimi, pasi akuzohen për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”. Ndërkohë që edhe tre personat e arrestuar, të cilët u kapën me veshje kontrabandë, u shoqëruan në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës së rrethit për të marrë masën e arrestit. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›