E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenton 50-vjeçaren, arrestohet

Autori i Lajmit: red.
Një 36-vjeçar ka përfunduar dje në pranga, pasi ka aksidentuar për vdekje një 50-vjeçare. Aksidenti ka ndodhur në Rrugën e Durrësit, kur drejtuesit të mjetit i ka dalë makina jashtë kontrollit për shkak të shpejtësisë dhe ka përplasur kalimtaren. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Tiranës, sipas të cilave mësohet se rreth orës 09.10 në Rrugën e Durrësit, në kryeqytet, ka ndodhur një aksident automobilistik, ku për pasojë ka gjetur vdekjen këmbësorja Tefta Ndreu, 50 vjeç. Në vendin e ngjarjes shkuan menjëherë patrullat e shërbimit të qarkullimit rrugor Tiranë, ekspertët e hetimit të aksidenteve rrugore nga ku u formua grupi hetimor, për të sqaruar rrethanat e këtij aksidenti. Burimet nga policia pohojnë se dyshohet që shkak i këtij aksidenti të rëndë janë ecja tej normave të lejuara, humbja e kontrollit nga ana e drejtuesit të mjetit, shtetasit Gentian Islami, 36 vjeç, si dhe kushtet e rënduara atmosferike. Për pasojë, ka gjetur vdekjen e menjëhershme këmbësorja Tefta Ndreu, 50 vjeç, banuese në Tiranë. Aktualisht, drejtuesi i mjetit është shoqëruar për në ambientet e komisariatit, nga ku dhe do të merret masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë për konsumim të veprës penale të ”Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen. Materialet do t i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime dhe veprime të mëtejshme.

Ky lajm është publikuar: 04/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›