Aksidenton me dashje dy të rinj, akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë
Në ngjarje e çuditshme është regjistruar mëngjesin e djeshëm në hyrje të qytezës së Belshit. Një person ka përplasur me mjetin e tij dy persona duke u shkaktuar dëmtime të shumta. Burime të policisë bëjnë të ditur se një mjet tip “Ford” me targa të GR 1005B i drejtuar nga shtetasi Nardi Shabani, 25 vjeç, banues në Belsh ka përplasur shtetasit A.Z., 34 vjeç dhe Q.B., 35 vjeç, me banim po në këtë lokalitet. Nga të dhënat e para të policisë, nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe nga marrja e deklarimeve të të dëmtuarve, mësohet se ata kanë qenë të ndaluar në anë të rrugës kur janë përplasur. Dy të dëmtuarit janë dërguar urgjentisht në spitalin Kirurgjik të Elbasanit, ku edhe kanë marrë ndihmën e parë mjekësore. Mësohet se ndaj drejtuesit të “Fordit” është vendosur masa e arrestit në flagrancë për akuzën vrasje me dashje të mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 76, 22 të Kodit Penal. Të njëjtat burime konfirmuan se po punohet për zbardhen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë të saj.