E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merr flakë shtëpia, digjet brenda foshnja 11-muajshe

Djegia e një banese në fshatin Palvar të Malësisë së Madhe ka sjellë dhe vdekjen e një foshnjeje 11-muajshe. Ngjarja tragjike ka ndodhur në mesditën e së martës, në fshatin Palvar, komuna Qendër në Malësi të Madhe. Një banesë trekatëshe ka marrë zjarr dhe flakët kanë shkrumbuar gjithçka brenda pak minutash. Zjarri është shfaqur në katin e parë të ndërtesës, ku jetonin tri familje, ajo e shtetasit Kadri Gjeçaj dhe ato të dy djemve të tij Ardjanit dhe Arbenit. Në momentin e rënies së zjarrit të rriturit kanë qenë duke punuar në arë dhe në banesë ka qenë foshnja 11-muajshe Reila Gjeçaj, e cila ka gjetur vdekjen si pasojë e asfiksisë nga tymi e zjarri që ka përfshirë banesën. Banesa trekatëshe e familjes Gjeçaj para viteve ‘90 ka qenë magazinë e fermentimit të duhanit, dhe pas rimarrjes në pronësi ishte përshtatur në shtëpi për 5 familje, ku jetonin vetëm 3 prej tyre, ndërkohë që pjesa tjetër janë në emigracion.

Ngjarja

Gjyshja e foshnjës ka qenë duke punuar jo larg banesës dhe ka tentuar të hyjë brenda për të nxjerrë mbesën e vogël, por ka qenë e pamundur, pasi zjarri është përhapur shumë shpejt. Dy mjetet zjarrfikëse nga Malësia e Madhe dhe një nga Shkodra janë përpjekur të shuajnë zjarrin e fuqishëm. Banesa në pjesët e brendshme të saj ka qenë me dru pishe dhe kjo ka favorizuar hapjen e zjarrit. Shembja e çatisë së banesës e ka bërë të pamundur futjen brenda për të shpëtuar fëmijën që ishte në gjumë. Gjithçka është shkrumbuar dhe 13 pjesëtarët e familjeve Gjeçaj kanë mbetur pa strehë, ndërsa humbja e jetës së foshnjës e ka bërë më të rëndë tragjedinë për ta. Akoma nuk dihet shkaku i rënies së zjarrit, por dyshohet se ka qenë një shkëndijë elektrike në rrjetin e brendshëm dhe më pas ndërtimet e brendshme me dru pishe kanë favorizuar përhapjen e shpejtë të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›