Aksion blic ne Lezhe 11 persona te shoqeruar
Njëmbëdhjetë persona janë shoqëruar nga policia gjatë një operacioni blic, që blutë e komisariatit të Lezhës të mbeshtetura edhe nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë zhvilluan në orët e mbrëmjes së të enjtes në akset kryesore, rrugëve dhe disa ambjenteve publike. Gjatë kontrolleve të ushtruara në disa automjete dhe lokale, ku dyshohej se kishte persona me armëmbajtje pa leje dhe të shpallur në kërkim nga policia janë kapur 5 armë zjarri tip pistoletë, ndërsa bëhet e ditur se goditja e elementit kriminal do të jetë pjesë e vazhdimësisë së këtyre aksioneve. Pas akseve kryesore të rrugëve, policia do të nisë kontrollet edhe në zonat rurale, kjo për të parandaluar kriminalitetin dhe për të vënë në pranga autorë të mundshëm të ngjarjeve të ndodhura kohët e fundit në këtë rreth. Operacionet e policisë kanë vijuar edhe gjatë ditës së premte, duke sjellë prangosjen e disa personave po për armëmbajtje pa leje. Të arrestuar janë shtetasit Parlin Prenga 30 vjeç, Fatjon Pervathi 24 vjeç, Sokol Toni 37 vjeç dhe Agim Reçi 47 vjeç, pasi gjatë kontrolleve të befasishme ndaj tyre u janë kapur armë zjarri tip pistolete duke sjellë edhe arrestimin e tyre.