E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksion i gjelbër te rruga “Sami Frashëri”

24/02/2009  Bashkia e Tiranës

Aksioni i ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës që në dhjetor të 2008-s për shtimin e masës së gjelbër në kryeqytet do të vijojë deri në fund të muajit shkurt. Gjatë ditës së djeshme është përuruar mbjellja e 30 fidanëve të rinj pemë dekorative përgjatë rrugës “Sami Frashëri”, ku i pranishëm në ceremoni ishte dhe kreu i Bashkisë Edi Rama. Ndërkohë kësaj nisme i janë bashkuar në mënyrë të vazhdueshme edhe kompanitë dhe subjektet private të biznesit, çka do të ndihmojë në uljen e nivelit të lartë të ndotjes që ka sot kryeqyteti. Aksioni për mbjelljen e pemëve dekorative ka nisur që nga bulevardi "Bajram Curri", për të përfunduar te sheshi "Uillson". Gjatë ditëve të ardhshme pritet që pjesë e kësaj fushate të bëhen dhe zona të tjera të kryeqytetit, veçanërisht blloqet e banimit, që vuajnë në masë nga sipërfaqet e gjelbra. Nisma “Një qytetar, një pemë” përveçse në kryeqytet pritet të shtrihet edhe në rrethe të tjera të vendit, kjo falë ndihmës që do të japin subjektet private të biznesit në kuadër të përmirësimit të cilësisë së jetesës që vjen prej shtimit të masës së gjelbër. "Sot ka kaluar 1000 numri i pemëve që po mbillen dhe do të mbillen falë sipërmarrjes private në këtë nismë. Është shprehje e ndjeshmërisë së qytetareve dhe e pjesëmarrjes së tyre për të ardhmen tonë të përbashkët, me shpresën që për çdo qytetar të kemi të mbjellë një pemë", - ka pohuar Rama.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›